Alarm: Ahtisari po vdes?

Aug 7, 2011 | 10:27

ADRIATIK KELMENDI

Përtej çfarëdo entuziazmi e euforie që solli ndërhyrja policore në Veri dhe fjalët e forta, qytetarët e Kosovës bashkë me qeverinë duhet të jenë të gatshëm për finale me vetëm dy skenarë: ose jetësohet plani i Ahtisarit në Veri, ose plani i Ahtisarit vdes. Lajm jo i mirë është se ai tashmë s’po përmendet fare as nga SHBA-të, as nga BE-ja. Atëherë, a ka Prishtina një plan B? A duhet kërkuar reciprocitet të tri komunave në Veri të Kosovës, me tri komunat në Luginën e Preshevës? Apo do të ndodhemi edhe njëherë – para aktit të kryer?

“MARRËVESHJET” ME AFAT SKADIMI

VINI RE! Kanë kaluar tashmë më tepër se katër vjet që nga propozimi i presidentit Marti Ahtisari për statusin e Kosovës dhe rregullimin e saj të brendshëm, i cili nuk e mori mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe u hodh poshtë nga Serbia. (Kjo nuk është edhe tentimmarrëveshja e vetme për çështjen e Kosovës dhe banorëve të saj, shqiptarë shumicë dhe pakica të tjera). Ka pasur edhe të tjera përpjekje të këtilla përgjatë këtyre 20 e ca vjetëve, prejse u përkeqësua dukshëm situata në Kosovë dhe filloi shpartallimi i RSFJ-së. Duke filluar nga ato të llojit të Marrëveshjes për Arsimin e ndërmjetësuar nga Komuniteti i Shën Egjidios, e deri të Marrëveshja e Rambujesë, Marrëveshja e Kumanovës e Rezoluta 12 44 e KS të OKB-së, kjo e fundit pa zë as nga shqiptarët e as nga serbët. Ndonëse të gjitha këto në emërtim mbajnë edhe fjalën “marrëveshje”, asnjëra nuk mund të quhet e atillë. Shën Egjidio filloi të përmbushej pjesërisht vetëm kur në Kosovë situata degjeneroi në konflikt të hapur, Rambujeja nuk u pranua kurrë nga serbët dhe ndërmjetësit rusë, ajo e Kumanovës u shkel dhe po vazhdon të shkelet edhe sot e kësaj dite, e Rezoluta 12 44 fillimisht nuk u pranua nga serbët, kurse tash kur Beogradi bën be në emër të saj, ajo është e tejkaluar për Kosovën dhe së paku 77 shtete të botës që e kanë njohur pavarësinë e shpallur. Cili është mësimi që del nga këto situata? Besoj se s’kërkohet shumë analizë për të parë se bashkësia ndërkombëtare, kryesisht këto tentime marrëveshjesh i sheh me një afat të caktuar skadimi. Gjithnjë si pasojë e së parës ka ardhur tentim marrëveshja e dytë dhe kështu me radhë.

PARIMET E GRUPIT TË KONTAKTIT, TË VETMET BASHKË ME RUSINË

KËTU DUHET NËNVIZUAR se ekziston edhe një, dhe ndoshta e vetmja që meriton të quhet e tillë në këtë konstelacion, marrëveshja e rëndësishme e Grupit të Kontaktit lidhur me Kosovën në këto dhjetë vjetët e fundit, për të cilën pra në plotni është pajtuar edhe Federata Ruse, si një nga gjashtë anëtaret. Janë 10 parimet udhëheqëse, si dhe tri parimet e panegociueshme për statusin e Kosovës, të cilat flasin për mosndarje, respektim të vullnetit të popullatës dhe mosbashkim me territore të tjera. Presidenti Ahtisari, duke ndjekur këto tri parime, ka ardhur në përfundim se pavarësia e mbikëqyrur është zgjidhja më e mirë për Kosovën, serbët dhe Rusia thanë “jo”. Tre vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë dhe me 77 njohje në çantë, plani i Ahtisarit prej të cilit derivoi edhe Kushtetuta e Kosovës, nuk po ia del të jetësohet në Veri të vendit. Situata e krijuar me dërgimin e forcave të Policisë së Kosovës për të marrë pikat kufitare 1 dhe 31 është fillimi i një përpjekjeje të fundit për ta bërë këtë. Dhe kjo përpjekje do të ketë vetëm dy rezultate: ose do të jetë e suksesshme dhe do të ndikojë që përfundimisht plani i Ahtisarit të fillojë të zbatohet si një kompromis për serbët kosovarë, ose do të dështojë dhe situata do të kthehet në atë që ka qenë, ose edhe do të përkeqësohet, duke bërë edhe vetë plani të vdesë. Nga Prishtina zyrtare deri më tash gjithçka është orientuar vetëm me synim arritjen e rezultatit të parë – shtrirjen e kushtetutshmërisë edhe në Veri. Për këtë edhe e kanë pasur përkrahjen pa rezervë dhe të gjithëmbarshme të shumicës shqiptare. Mirëpo, çka në qoftë se përtej fjalëve të mëdha dhe pozave triumfaliste, situata sërish kthehet në status quo, ose edhe më keq – dështohet? Tashmë që nga të gjithë thuhet se s’ka kthim prapa, sigurisht s’do të ketë kthim prapa në asnjë aspekt. A kanë institucionet e vendit një plan B?

“PO” SOVRANITETIT, POR JO EDHE AHTISARIT?

AJO QË KEMI parë përgjatë këtyre ditëve është se të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare thërrasin për zgjidhjen e problemeve me anë të dialogut. Bashkimi Europian ka shkuar aq larg, sa që ka thënë se situata duhet të kthehet në atë që ka qenë para intervenimit. Teksa ata që Prishtina i mban për aleatë kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ritheksuan se vazhdojnë të përkrahin sovranitetin e Kosovës, se përfundimisht nuk mund të ketë ndarje. Por, siç e tha Tomas Kantrimen, qeveria, për situatën në Veri duhet “të punojë me partnerët e saj, jo vetëm me SHBA-të, por edhe me KFOR-in, EULEXin, drejt arritjes së qëllimeve”. Një gjë që bie në sy në këtë mes është se askush më nga qendrat e vendosjes nuk po e përmend planin e Ahtisarit. Vetë thirrja e baroneshës Katerine Ashton për ta kthyer situatën në stadin që ka qenë, flet për kthim në një gjendje që nuk përshkruhet nga Ahtisari, ose që bie drejtpërdrejt ndesh me parimet e tij. Teksa i njëjti nuk po përmendet as nga përfaqësues të qeverisë amerikane. A po pandehet tashmë ky plan nga të gjithë si i parealizueshëm dhe vetëm po pritet dita kur do t’i kumtohet kjo edhe Prishtinës? A kanë filluar edhe miqtë tanë të shikojnë në zgjidhje përtej planit Ahtisari për Veriun? Sinjalet që vijnë janë gjithnjë e më të qarta se vdekjes klinike të këtij plani për Veriun mund t’i hiqen shpejt tubat dhe aparati buzë shtratit të transmetojë një “piiiip” të zgjatur. Shpejt edhe plani “Ahtisari” mund t’i bashkohet listës së tentim-marrëveshjeve me datë të skaduar.

PERËNDIMI: SI TË BINDEN SERBËT NËSE NUK DUAN?

GJITHNJË E MË hapur tashmë në Prishtinë do të dëgjohen ato që deri më tash janë thënë si balona provuese në takime me diplomatë perëndimorë. Çka mund të ofrojë Prishtina në mënyrë që të zgjidhet përfundimisht çështja e Veriut dhe t’i hapet rrugë edhe njohjes së Kosovës nga Serbia në një të ardhme, ose që kjo e fundit t’i dërgojë sinjale Federatës Ruse për të mos vënë veto për pranimin e shtetit të ri në OKB? Zgjidhja sërish do të kërkohet brenda Parimeve të Grupit të Kontaktit, pasi që brenda tyre qëndron edhe Rusia, por jo edhe brenda asaj që ka paraparë Ahtisari. Argumentimi në Perëndim se asgjë s’bën të arrihet me dhunë dhe se kufijtë nuk ndryshojnë, mund ta kthejë sërish situatën në nevojën e zgjedhjes me anë të atyre që edhe kryeministri Thaçi i kishte quajtur më parë “ide kreative” (pa u ndalur këtu në analizën në qoftë se edhe aksioni në Veri mund të ketë shërbyer për të ardhur më shpejt para aktit të kryer që imponojnë “zgjidhje kreative”). Analizat nga jashtë Kosovës janë se serbët në Veri për 12 vjet me radhë nuk duan t’i nënshtrohen autoritetit të Prishtinës. E ky nënshtrim, sipas analizave të njëjta, nuk mund të bëhet as me dhunë e as me dëbimin e tyre, qëndrim që me të drejtë është ndjekur edhe nga politika zyrtare në Kosovë. Kokëfortësinë serbe për të mos lëshuar pe po e dëshmojnë edhe bllokadat e këtyre ditëve në Veri. Së këndejmi, zgjidhja që do të fillojë të imponohet do të bëjë përpjekje që t’i kënaqë si apetitet e qytetarëve shumicë të Veriut – serbëve – ashtu edhe Prishtinën dhe Beogradin, sado që momentalisht një gjë e këtillë duket e pamundur. Dhe, pavarësisht të gjithave, liderët e Kosovës janë koshientë se pa mbështetje, sidomos të SHBA-ve e edhe të BE-së, zor të kenë kaçik për të ndryshuar realitetin në Veri.

PLATFORMA REZERVË: LUGINA E PRESHEVËS

DUKET SE SHUMË shpejt do të afrohet çasti kur idetë për zgjidhje kreative do të kërkohen të vihen mbi tavolinë. Është interesante se nga partitë mainstream kosovare deri më tash nuk kemi parë asnjë ide të strukturuar se çka do të duhej bërë në qoftë se plani “Ahtisari”, megjithatë, nuk do të mund të realizohet. Përkundrazi, ideja më e analizuar dhe gjakftohtë deri më tash vjen nga një parti që ka vetëm dy deputetë në Kuvend në kuadër të listës së lëvizjes “Vetëvendosje!”, por pa mbështetjen e këtyre të fundit. Lëvizja për Bashkim ka ofruar parimin e reciprocitetit në mënyrë që njëherë e mirë të zgjidhen mosmarrëveshjet shqiptaro-serbe dhe atë duke u bazuar në një aspekt shumë human: marrjen për bazë të vullneteve të banorëve të pjesëve problematike. Pra, kjo lëvizje propozon: çka t’u japë Prishtina serbëve në tri komunat në Veri, edhe Beogradi duhet t’u japë shqiptarëve në tri komunat në Luginën e Preshevës. Pavarësisht se sa është e realizueshme në kontekstin e tashëm kohor, është një platformë që do duhej shqyrtuar me seriozitet. Dhe, që me vullnet të sinqertë për zgjidhje të problemeve nga Prishtina dhe Beogradi, si dhe përkrahje e fasilitim të vendosur perëndimor, edhe do të mund të funksiononte. Fundi i fundit, aktualisht Prishtina nuk ka as nga pushteti e as nga opozita një platformë që do të mund t’i ngjante një plani B. E, ashtu siç po pajtohemi të gjithë: situata vërtet nuk ka kthim prapa, por as nuk do të presë përgjithmonë.

 

© Panorama.al

Te lidhura