Al Ajmi merr 10-n e Mukës: S’do zhgënjej

Jul 13, 2011 | 11:43
Mahmud Al Ajmi, duke u prezantuar te Tirana nga Refik Halili

Mahmud Al Ajmi do të jetë teorikisht pasardhësi i Devi Mukës te skuadra e Tiranës. Në prezantimin e djeshëm, fantazistit nga Bahreini iu dha fanella me numrin 10, të cilën sezonin e fundit e mbante ish-kapiteni si dhe një nga lojtarët më të mirë të Tiranës së dekadës së fundit, Devi Muka.Al Ajmi është konsideruar nga drejtuesit e Tiranës si blerja më e mirë përkrah gjashtë të tjerëve të ardhur rishtazi te bardheblutë, dhe jo pa qëllim atij i është dhënë edhe fanella me këtë numër. Në përfundim të ceremonisë së prezantimit, futbollisti ka dhënë edhe prononcimin e parë për një nga mediat shqiptare, duke treguar gjithë sinqeritet se Mukën e njeh vetëm nga interneti dhe bisedat që ka dëgjuar gjatë këtyre ditëve. “Unë sinqerisht nuk e njoh Devi Mukën. Gjatë këtyre ditëve kam dëgjuar shumë të flitet për të nga ana e drejtuesve të klubit, u bëra kureshtar dhe natyrisht pashë në internet më shumë për të. Më vjen mirë që te kjo skuadër mua më krahasojnë me një lojtar që i ka dhënë shumë Tiranës. Nuk e di nëse do jem në gjendje të bëj sa Muka apo më shumë, por e them me bindje se nuk do të zhgënjej askënd”, ka pohuar Al Ajmi. Më tej, lojtari i Kombëtares së Bahreinit ka pohuar se ka hyrë menjëherë në mentalitetin e lojës së Tiranës dhe po mundohet që të ambientohet dita-ditës edhe me qytetin. “Të mbash numrin 10 në fanellë është një përgjegjësi e madhe për këdo dhe kudo. Normalisht për mua do jetë edhe më shumë, pasi tifozët nuk më njohin ende dhe mezi presin që unë t’iu tregoj vlerat e mia. Gjatë këtyre ditëve jam stërvitur shumë dhe besoj se pak nga pak po kap formën më të mirë. Këtë do ta tregoj që në ndeshjen ndaj Spartakut. Po mundohem që të ambientohem edhe me qytetin dhe me kolegët dhe besoj se nuk do të kem aspak probleme tek Tirana”, ka thënë Al Ajmi. Fantazisti ka qenë pjesë e përfaqësueses së Bahreinit për Kupën e Azisë në janar të këtij viti (Bahreini ishte në një grup me Australinë, Korenë e Jugut dhe Indinë), por nuk luajti asnjë ndeshje. I pyetur nëse Tiranën e shikon si një trampolinë për në një klub të madh në Europë, ai pohoi se dëshiron që të bëjë më të mirët te bardheblutë dhe më pas të shikojë se çfarë do të ndodhë.

Presidenti Halili: Na jepni stadiumin, ulim çmimin

Plas sërish problematika me stadiumin “Qemal Stafa”. Dy ditë para ndeshjes (që dje) të bardhebluve me Spartak Trnavën, drejtuesit kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me problematikën që ekziston si për menaxhimin e biletave të stadiumit, por edhe për fushën e këtij impianti. Duke prezantuar blerjet e reja të Tiranës, presidenti Refik Halili ka pohuar qartazi se në rast se Tiranës i lihet menaxhimi i biletave për këtë ndeshje, ai do të ulë çminimin, pasi më shumë se të ardhurat nga ky takim i intereson që tifozi bardheblu të mos mungojë në shkallët e “Qemal Stafës”. “Në qoftë se neve do të na lejojnë që biletat t’i mbajmë, atëherë si drejtues klubi kemi vendosur që biletat për karshi do të jenë me çmime shumë të arsyeshme, sepse duam të afrojmë tifozërinë. Kështu, nga 5 mijë lekë të vjetra, do t’i bëjmë 2 mijë lekë të vjetra. Ndërsa në tribunë do të jenë po ato çmime që kanë qenë si për çdo ndeshje. Gjithsesi, kjo nuk varet nga ne, por nga stadiumi nëse realisht do të duan që të paktën një herë të bëhemi ne zotë të mallit tonë, në një farë mënyre”, ka sqaruar Halili. Ndërsa nga ana tjetër, drejtori i stadiumit, Gazmend Sallaku, sqaron: “Tirana ka 31 milionë lekë pa paguar. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, atëherë ne do ta menaxhojmë vetëm stadiumin për këtë ndeshje, pasi nuk kemi më besim se ata na japin paratë. Ndërsa për sa i përket “Milan Junior Camp”, nuk ka asnjë problem, pasi vetëm për të mbajtur fushën në parametrat e duhur unë sot (dje) nuk kam lejuar që aty të bëhet ky aktivitet”, ka pohuar Sallaku.

 

Leonard Karaj

© Panorama.al

Te lidhura