Akuzat ruse: UÇK kosovare stërvit sirianët

May 16, 2012 | 15:01

Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar autoritetet kosovare se janë të lidhura me opozitën siriane dhe po stërvitin rebelët sirianë. Në protestën e Ministrisë ruse theksohet se “Vëmendjen tonë e tërheqin raportet e fundit të mediave mbi lidhjet e opozitës siriane dhe të autoriteteve të së ashtuquajturës Republika e Kosovës. Kjo përfshin jo vetëm shkëmbimin e përvojave për organizimin e lëvizjeve separatiste të drejtuara kundër regjimeve, por edhe stërvitjen e rebelëve të Sirisë në Kosovë”. Sipas Moskës, qendrat stërvitore ndodhen në ish-bazat e UÇK-së, kurse “shndërrimi i Kosovës në bazë ndërkombëtare për ushtrimin e rebelëve për formacione të ndryshme të armatosura mund të jetë faktor kryesor destabilizues në Ballkan”, duke i quajtur këto përpjekje në kundërshtim me misionin e Kofi Anan. Sipas mediave ruse, delegacioni i rebelëve sirianë ka udhëtuar në Prishtinë direkt nga SHBA. Një prej tyre është aktivisti për të drejtat e njeriut, Amar Abdulhamid, i larguar që në vitin 2005 nga Siria në SHBA si kundërshtar i Bashar al Asad. Edhe përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit ngriti akuza të tilla, por ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj i mohoi ato.

© Panorama.al

Te lidhura