
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do të japë llogari në Komisionin e Sigurisë Kombëtare më datë 11 korrik, lidhur me shqetësimet e ngritura nga opozita për shitjen e armëve me Malin e Zi, shkarkimin dhe emërimin e gjeneralëve dhe menaxhimin e kapaciteteve operacionale të Forca-ve të Armatosura.
Zyrtarisht, dje, ministrit të Mbrojtjes i është kërkuar, me anë të një shkrese, që të konfirmojë praninë e tij për të raportuar para ligjvënësve për problemet e ngritura nga opozita në Komisionin e Sigurisë, sipas planit të miratuar në datën 18 qershor të këtij viti. “Panorama” ka siguruar letrën e firmosur nga dy deputetët e maxhorancës, njëherësh anëtarë të grupit të punës që do të inspektojë Ministrinë e Mbrojtjes. Letra është firmosur nga deputetët e Partisë Demokratike, Fatos Hoxha dhe Luan Skuqi, dhe u është përcjellë për dijeni dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit të Sigurisë. Deputetët e maxhorancës, pas deklaratave të bërë një ditë më parë nga kolegët e Partisë Socialiste, në shkresën e tyre shprehen se raportimi i ministrit Imami është i domosdoshëm për të sqaruar një sërë shqetësimesh të ngritura nga përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. “Me vendimin nr. 8, datë 18.05.2012, ‘Për miratimin e planit të zhvillimit të seancave dëgjimore dhe mbikëqyrjes parlamentare për Ministrinë e Mbrojtjes’, Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar një program pune kontrolli në Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë të veçantë lidhur me dy çështjet e mëposhtme: për planin e përhapjes së Forcave të Armatosura; për kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura. Si anëtarë të grupit të punës të ngarkuar për ndjekjen e tyre, gjykojmë se është i nevojshëm zhvillimi i një seance dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes për këto tematika. Sugjerojmë si ditë të përshtatshme, nëse ju jeni dakord, datën 11 korrik 2012, ora 11:00. Në pritje të përgjigjes pozitive nga ju”, thuhet në letrën e firmosur nga deputetët Hoxha dhe Skuqi.
Përplasja
Për rreth dy muaj, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka refuzuar kërkesën e Komisionit të Sigurisë për të ushtruar kontrollin parlamentar për procedurat e vendimmarrjes në këtë ministri.
Gazeta publikoi dy ditë më parë të gjithë dokumentacionin zyrtar përmes të cilit Kuvendi ka komunikuar me Ministrinë e Mbrojtjes për kryerjen e kontrollit parlamentar, por në çdo rast ka munguar përgjigjja e Ministrisë. Vetëm ditën e martë, deputetët socialistë, pas zhurmës mediatike të bërë, morën përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes se Komisioni i Sigurisë do të lejohet të kontrollojë, por më parë duhet të depozitojë planin e detajuar të këtij kontrolli dhe ky “hetim” do të mund të nisë në datën 10 korrik.
Lutaj: Imami fsheh buxhetin
Anëtari i Komisionit të Sigurisë, Pirro Lutaj, deklaroi dje për ABC News se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kërkon t’i shmanget kontrollit të Parlamentit për shkak të abuzimeve të mëdha në buxhetin e Forcave të Armatosura që kërkon të fshehë. “Zoti Imami përpiqet të pengojë kontrollin e Legjislativit, por nuk do t’ia arrijë dot. Ky është një absurditet. Çfarë fsheh ministri i Mbrojtjes para Parlamentit të Shqipërisë? Ne nuk mund të lejojmë që ministri i Mbrojtjes, buxhetin që ka marrë nga Parlamenti për të modernizuar Forcat e Armatosura, për t’i përafruar ato me forcat e NATO-s, ta shpërdorojë në mënyrën që do. Për modernizimin e FA, për vitin 2011 është vendosur vetëm 14% e buxhetit të dispozicion, për stërvitjen është vendosur vetëm 0.1% e buxhetit, për ekseset dhe shërbimet shëndetësore 3.5% e buxhetit, pra ku shkon 83% e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, që është në dispozicion të Forcave të Armatosura. Ne këtë transparencë kërkojmë”, deklaroi Lutaj.
FATION BINJAKU











