Pas dështimit të bisedimeve mes autoriteteve iraniane dhe atyre të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike, pasi Irani refuzoi të lejojë hyrjen e tyre në impiantet e uraniumit, Ministria e jashtme ruse akuzoi SHBA-të se po përdorin pretekstin e armës bërthamore për interesat e tyre. “Ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë se baza amerikane në Kirgizistan do të përdoret në një konflikt të mundshëm me Iranin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksander Lukasheviç. Sipas Rusisë, raporton agjencia serbe B92, SHBA mund të nisë një sulm kundër Iranit duke përdorur pretendimet se vendi po përpiqet të krijojë një armë nukleare, me qëllimin për të marrë rezervat e mëdha të naftës dhe gazit në ish-republikat sovjetike dhe Azinë Qendrore.











