PRISHTINE- Bujar Bukoshi e Astrit Haracija kanë lënë zyrat e tyre qeveritare, me shpresë së do të kthehen sërish ku ishin, diku nga vjeshta e këtij viti.
Zëvendëskryeministri dhe Zëvendësministri i Financave bënë një marrëveshje me Kryeministrin Hashim Thaçi, përpara se Qeveria të lëshonte një komunikatë për media.
Për ta ruajtur koalicionin mes PDK’së dhe Listës Ibrahim Rugova, Zyra e Kryeministrit tha se Bukoshi e Haraqija po lirohen nga detyrat shtetërore, duke i ikur kështu termit “dorëheqje”.
Burime të gazetës Express thanë se Lista nuk do t’i zëvendësojë dy postet e mbetura bosh pas aktit të Bukoshit dhe Haraqisë, me shpresë se ata do të kthehen sërish në punë, sa të lirohen nga akuzat për korrupsion.
“Ata thjesht nuk duan ta pengojnë drejtësinë duke qenë se mbajnë poste të larta. Bukoshi dhe Haraqija u liruan, të bindur se do të kthehen, pasi që akuzat që rëndojnë mbi ta janë politike”, tha një zyrtar i Listës, në kushte anonimiteti për Express.
Zyra e Kryeministrit tha se akti ndodhi me kërkesën e dy zyrtarëve të lartë.
“Zëvendëskryeministri Bukoshi dhe Zëvendësministri Haraqija këtë akt e kanë bërë për hir të respektimit të procedurave ligjore, që po zhvillohen ndaj tyre dhe me qëllim të krijimit të hapësirës për organet e drejtësisë për të kryer misionin e tyre”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.
© Panorama.al











