Akuza për armëmbajtje, gjykata: Pafajësi për Emiliano Shullazin

May 12, 2012 | 13:57
Emiljano Shullazi

TIRANE – Gjykata e Tiranës rrëzoi dje akuzën e Prokurorisë kundër Emiliano Shullazit dhe e deklaroi atë të pafajshëm. Pas gjashtë muajsh qëndrim në qelitë e paraburgimit, që prej 8 nëntorit të vitit 2011, Shullazi u deklarua jo fajtor për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Të njëjtin fat nuk e pati i bashkëpandehuri, njëkohësisht miku i tij, Gilmando Dani. Ai u deklarua i fajshëm për akuzën e “moskallëzimit të krimit” dhe u dënua me 1 vit heqje lirie. Vendimi gjyqësor ndaj Shullazit dhe Danit u shpall nga gjyqtari Martin Deda, në përfundim të dhjetë seancave shqyrtimi gjyqësor. Pas analizimit të provave të paraqitura nga palët, gjykata vlerësoi se akuza e ngritur ndaj të pandehurit Shullazi ishte e paprovuar. “Urdhërohet lirimi i të pandehurit Emiliano Shullazi, nëse ai nuk mbahet i ndaluar për ndonjë vepër tjetër penale”, mësohet të jetë shprehur gjykata në vendimin e saj. Vendimi në fjalë i dha lirinë të pandehurit Shullazi, i cili la ambientet e paraburgimit në orët e pasdites. Në pretencë, Prokuroria i kërkoi gjykatës dënimin e Shullazit me 4 vjet burg dhe të Danit me 1 vit e 6 muaj. Gjykimi i dosjes në ngarkim të Shullazit dhe Danit në Gjykatën e Tiranës zgjati 2 muaj. Ata u arrestuan në nëntor të vitit 2011, pranë zonës së ish-Parkut të Autobusëve në kryeqytet. Në momentin e ndalimit, pranë tyre u gjet një armë zjarri pistoletë. Në procesverbalet e arrestit në flagrancë, punonjësit e Policisë që prangosën Shullazin dhe Danin shënuan se “arma ishte hedhur nga Shullazi në momentin që ishte afruar policia”. Por, ky fakt u mohua nga të njëjtët punonjës policie, kur ata u paraqitën si dëshmitarë në proces. Përpara gjyqtarit Martin

Gilmando Dani

Deda, dy punonjësit e Policisë dëshmuan se nuk e kishin parë se cili nga dy të dyshuarit e kishte hedhur pistoletën. Në atë seancë, prokurori kërkoi kundërshtimin e dëshmive të punonjësve të Policisë, kërkesë që nuk u pranua nga gjykata. Për shkak të ndryshimit të deklarimeve të dhëna në Prokurori dhe dëshmisë para gjykatës, Prokuroria nisi procedim penal për “dëshmi të rreme” për dy nga oficerët e Policisë. Në anën tjetër, gjatë gjithë kohës, që prej momentit të ndalimit, paraqitjes në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë, si edhe në gjykimin e dosjes, i pandehuri Emiliano Shullazi ka mohuar të ketë pasur pistoletë. Pronësia e armës është pranuar nga ana e të pandehurit tjetër, Gilmando Dani. Ky fakt u pohua edhe në sallën e gjyqit gjatë një deklarimi të lirë të Danit, ku ai pohoi se arma e gjetur pranë tyre ditën e arrestimit i përkiste atij dhe se Emiliano Shullazi nuk kishte dijeni që Dani ishte i armatosur.

© Panorama.al

Te lidhura