
Rimerret në pyetje “e dashura” e Ilia Bashos, 38-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e gruas së tij më 2 shkurt të këtij viti në Tiranë.
Shtetasja Yllka Shehaj është rimarrë në pyetje në lidhje me ngjarjen për të cilën akuzohet ish-partneri i saj Ilia Basho, i cili ndodhet në burg si i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Eleni Bashos, gruas së ekzekutuar në Shkozë me dy plumba në trup më 2 shkurt 2012 në mbrëmje. Të premten e javës që shkoi, Yllka Shehaj është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës për disa sqarime shtesë, ndërsa mësohet se dëshmitë e saj të dhëna më parë janë rikonfirmuar nga grupi i hetimit i ngritur në lidhje me vrasjen e laborantes dentare, Eleni Basho. Përqendrimi i hetuesve tek dëshmia e Yllka Shehajt, me sa duket ka ardhur pas një periudhe “të vakët” për këtë çështje, për shkak se nuk është arritur një ecuri e mirë në lidhje me gjetjen e grumbullimin e provave të reja që kanë të bëjnë me fajësinë e Ilia Bashos dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm të tij. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, në deklarimet e saj Yllka Shehaj ka thënë se u qëndron sqarimeve që ka dhënë edhe më parë se raporti i saj me Ilia Bashon ka marrë fund kohë përpara se të ndodhte ngjarja në Shkozë. Sipas hetuesve, Shehaj ka shpjeguar se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve që ka kryer dhe që mund të kryente Ilia Basho, por vetëm në dy raste ka marrë mesazhe prej tij, një herë kur i kërkohej martesë dhe i thuhej se “Eleni do të dalë nga skena” dhe një herë tjetër kur Ilia Basho ka kërkuar që të ndërpriste komunikimin për 2-3 muaj. Hetimet në lidhje me vrasjen e Eleni Bashos po vazhdojnë, ndërsa Prokuroria e Policia kanë bërë edhe një analizë në lidhje me ngjarjen. Përkundër provave të mbledhura për Ilia Bashon deri tani, grupi hetimor nuk ka arritur të identifikojë personin që ka qëlluar mbi viktimën, pasi nuk ka të dhëna se dorasi ka qenë pikërisht i shoqi i laborantes.
Vrasja e laborantes
Vrasja e Eleni Bashos ndodhi më 02.02.2012, rreth orës 18:30, në Shkozë. Laborantja dentare, bashkëshorte e Ilia Bashos, u qëllua me dy plumba në trup, ndërsa nga hetimet e Prokurorisë kanë dalë të dhëna që kanë krijuar dyshim të arsyeshëm se autori i veprës penale mund të jetë dhe i pandehuri Ilia Basho. Policia Gjyqësore, më datë 06.02.2012 ka pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni, të pandehurin Ilia Basho. Në këtë datë, Ilia Basho ka dhënë të dhëna të përgjithshme që kanë të bëjnë me periudhën para vrasjes. Ai, në këtë pyetje nuk ka pranuar që ka pasur marrëdhënie me shtetasen Yllka Shehaj. Po më datë 06.02.2012 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe shtetasja Yllka Shehaj. Në këtë datë ajo ka pranuar pjesërisht lidhjen që ka pasur me të pandehurin, duke dhënë shpjegime të ndryshme dhe është përpjekur që ta bëjë të parëndësishme lidhjen e tyre. Më datë 21.02.2012 është ripyetur shtetasja Yllka Shehaj. Ajo ka dhënë të dhëna që e kanë çuar organin e hetimit në dyshime të arsyeshme se i pandehuri mund të jetë autor i veprës penale. Yllka Shehaj, në këtë deklarim, ka thënë se me të pandehurin ka pasur raporte intime të vazhdueshme dhe se i pandehuri i ka propozuar për martesë. Sipas Yllka Shehajt, i pandehuri i ka kërkuar asaj që ta priste sa të zgjidhte problemet me gruan, me të cilën do të ndahej. Ai thotë: “Më prit dhe pak, më prit deri më 15.12.2012 dhe ajo do të largohet nga skena pa u bërë zhurmë dhe ti nuk do të kesh fare punë se si do ta rregulloj. Ti ke ngrënë një shpullë, por asaj do t’i kthehen dhjetë të tilla mbrapsht”. Po kështu, në deponimin e saj ajo shpjegon përpjekjet e të pandehurit për t’i mbushur mendjen që ta priste dhe të martoheshin bashkë, mbasi me gruan do t’i zgjidhte vetë problemet. Në dëshminë e shtetasit Jonuz Muça, del se i pandehuri i ka thënë atij që të shkonte të takonte Yllka Shehajn dhe t’i kërkonte asaj që të mos e merrte në telefon dhe të mos e takonte tre-katër muaj.
Dëshmia
Ilia Basho u ndalua nga policia dy javë pas vrasjes së gruas së tij, Elenit. Ai u mor në pyetje dhe fillimisht nuk pranoi asnjë gjë, duke mohuar madje edhe lidhjen intime me Yllka Shehajn, lidhje e cila ishte bërë shkak për konflikte në çift. Por dëshmia e Ilia Bashos ndryshoi në Gjykatën e Apelit, ku i pandehuri pranoi se ka pasur një ndjenjë të fortë për Yllka Shehajn. Ndërsa pranoi lidhjen intime me këtë person, Ilia Basho mohoi në mënyrë kategorike implikimin e tij në vrasjen e të shoqes.Konfliktet
Dy bashkëshortët Ilia dhe Eleni Basho kishin prej vitit 2003 një kompani të përbashkët të tregtimit dhe shpërndarjes së produkteve mjekësore e farmaceutike. Ndonëse ishte krijuesi i kompanisë, Ilia kishte vënë emrin e të shoqes tek Nova Dental, në mënyrë që të shmangte konfliktin e interesit, pasi punonte në Tatime në momentin kur kompania u krijua. Mirëpo për shkak të konfliktit e mosmarrëveshjeve për lidhjen paralele të Ilia Bashos, dy bashkëshortët vendosën shitjen e aksioneve në kompaninë e produkteve dentare.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











