TIRANE – Një vajzë 7-vjeçare ka kaluar 24 orë në Pediatrinë e spitalit “Nënë Tereza”, pasi u helmua nga një akullore që i blenë prindërit teksa shëtisnin përgjatë Rrugës së Kavajës në Tiranë. Duket se akullorja ka qenë e përgatitur me qumësht të skaduar dhe për këtë arsye i ka sjellë shqetësime shëndetësore vajzës së mitur, e cila është dërguar me urgjencë në spital për shkak të dhimbjeve të barkut dhe të vjellave. Pasi është bërë ekzaminimi nga mjekët pediatër, të cilët kanë përcaktuar edhe shkaqet e helmimit, prindërit e vajzës 7 vjeçe Kristina Gj. kanë denoncuar në Komisariatin Nr. 2 shitësin e dyqanit ku i kishin blerë akulloren vajzës. Në denoncimin e tyre, prindërit e vajzës së mitur kanë treguar vendin ku ndodhet dyqani, përballë Policisë Bashkiake, te Rruga e Kavajës dhe efektivat e Komisariatit Nr. 2 kanë shkuar në vendngjarje për të kryer verifikimet e nevojshme. Burimet thanë se, nisur nga denoncimi, por edhe raporti i mjekëve që kanë ekzaminuar vajzën e helmuar, janë sekuestruar disa mostra akulloresh që përgatiteshin vetë, për t’u ekzaminuar në laborator. Ndërsa ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për shitësin 51-vjeçar Ilir Zuka, me akuzën “prodhim dhe shitje të ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”. Burime nga spitali “Nënë Tereza” thanë se vajza e mitur ka qëndruar e shtruar në Pediatri më shumë se 24 orë dhe gjendja e saj paraqitej e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.











