
Duke mos ditur se kë të zgjedhë mes dy lojtarëve që ka vënë nën shënjestër, Milani ka vendosur të bëjë një goditje të dyfishtë. Ka qenë vetë administratori i deleguar i kuqezinjve, Adriano Galiani, i cili e ka bërë të ditur këtë lajm, edhe pse në mënyrë indirekte, duke iu referuar ndeshjes së Kombëtares italiane: “Në Bari kanë shënuar dy lojtarët që na pëlqejnë”. Kjo frazë mund të përkthehet shumë thjesht: Montolivo dhe Akuilani mund të vishen të dy me fanellën e kampionëve të Italisë. Por, edhe nëse ndodh kjo, do të bëhet në periudha kohe të ndryshme, për arsye se nëse ish-mesfushori i Juventusit mund të transferohet menjëherë në Milano për 6 milionë euro, ai i Fiorentinës mund të detyrohet që të presë edhe një tjetër sezon. Duke parë pamundësinë e blerjes së një lojtari të madh, drejtuesit e Milanit kanë filluar të studiojnë strategji alternative, që nënkupton transferimin e Montolivos dhe Akuilanit në Milanelo. Për mesfushorin e Liverpulit, tratativa duket më e thjeshtë: të kuqtë duan që ta shesin italianin me çdo kusht dhe, për pasojë, janë të gatshëm që të pranojnë një ofertë prej 6 milionë eurosh. Ndërsa për ish-kapitenin e Fiorentinës gjërat janë më të komplikuara: kontrata e Montolivos skadon në 2012-n dhe lufta e tij me Dela Valen nuk e ndihmon aspak largimin drejt një destinacioni të ri, meqenëse presidenti i vjollcëve kërkon të paktën 10 milionë euro pa bërë asnjë skonto. Kjo shifër është konsideruar tepër e lartë nga drejtuesit e kuqezinjve, të cilët mund të zgjedhin rrugën e pritjes, në mënyrë që sezonin e ardhshëm ta marrin me parametër zero.
Galiani: Kaka nuk kërkon të ulë rrogën, ndaj s’vjen
Rikardo Kaka vazhdon të jetë një objektiv i Milanit, por sipas Adriano Galianit, e vetmja pengesë për rikthimin e brazilianit në Milano është pagesa tepër e lartë. Administratori i deleguar i Milanit ka përsëritur edhe një herë tjetër për mikrofonat e “Gazzetta dello Sport” arsyet që e pengojnë tratativën: “Ai nuk mund të vijë te Milani, e përsëris këtë gjë për të njëqindtën herë. Situata fiskale nga Spanja në Itali ndryshon shumë. Pastaj, nuk besoj se Kaka është i gatshëm të heqë dorë nga një pjesë e mirë e rrogës që merr te Reali, vetëm për të veshur sërish fanellën kuqezi”, – ka saktësuar administratori i deleguar i Milanit.











