Aktorja që çmendi Hollywood-in pa folur

Feb 20, 2012 | 15:04

Berenice Bejo, protagonistja e “The Artist”

Ajo po sfidon Hollywood-in pa folur fare. Protagonistja e filmit pa zë dhe bardhë e zi “The Artist”, i dominuar për 10 çmime “Oscar”, ka bërë për vete gjithë botën e kinemasë, ndërsa agjentët mbajnë radhë për ta shtënë në dorë. Kush është aktorja 30-vjeçare, që deri para pak muajsh ishte tërësisht e panjohur? Historia e argjentinases së arratisur nga diktatura militare, bashkë me familjen.
Një kombinim më të gjetur nuk mund të kishte. Bérénice Bejo ka temperamentin e nxehtë të një latineje (është nga Buenos Aires, i pëlqen shoqëria dhe familjet e mëdha) dhe një sharm tërësisht francez. Por, mbi të gjitha është e vendosur, e hareshme dhe gjithë humor. Protagonistja e filmit pa zë e “The Artist” (surpriza më e madhe e çmimeve “Oscar” me 10 nominime) po pushton Hollywood-in. Në Los Angeles ka jetuar 6 muaj në kohërat kur xhironte me Heath Ledger “Fati i një kalorësi”, por deri në muajin tetor aty nuk e njihte askush. Ndërsa tani, mes agjentëve kinematografikë, ka radhë të gjatë për ta mbërthyer. Thuhet se duan ta bëjnë një Marion Cotillard të re. Por Bejo nuk është një nga ato krijesa që preferon të ndjekë rrugë të përcaktuara: historia e saj është plot grintë dhe pasion. Nëse me pamjen e saj prej naiveje të kujton paksa Audrey Hepburn, ajo thotë se në të vërtetë adhuron aktoret me personalitet të fortë si Joan Crawford e Gloria Swanson. “Nëse do të kemi një vajzë, do ta quajmë Gloria”, i kishte thënë dikur bashkëshortit, regjisorit të filmit “The Artist”, Michel Hazanavicius, me të cilin ka edhe një djalë 3-vjeçar. Dhe kështu ndodhi: Gloria lindi më 18 shtator 2011. Në pritje të natës së “Oskar”-ve, më 26 shkurt, Berenice Bejo ka dhënë një intervistë për italianen “Io donna”.
Si ndiheni në Hollywood?
Isha 23 vjeç kur erdha këtu për të interpretuar në filmin “Fati i një kalorësi”, që ishte dhe eksperienca ime e parë si aktore. Jam rritur duke parë, bashkë me nënën dhe babanë tim, filmat e vjetër amerikanë. Kur nisa të xhiroja filmin “The Artist” dhe në mëngjes një shofer më priste për të më çuar në studio, më dukej irreale… Pas një jave flisja dhe ëndërroja vetëm në anglisht: kisha hyrë tërësisht në personazh.
Na flisni pak për prindërit, jetojnë në Paris?
Im atë ishte regjisor, mamaja avokate. Në fund të viteve ’70 vendosën të arratiseshin nga Buenos Aires bashkë me mua dhe motrën, për t’i shpëtuar diktaturës militare dhe u vendosën në Paris. Babai u detyrua të ndryshonte zanat. Unë i jam me të vërtetë mirënjohëse që më dha mundësinë të jetoja në një vend tjetër, në këmbim të një çmimi vërtet të lartë për të. Kur vitin e shkuar u shfaq “The Artist” në Festivalin e Kanës, prindërit e mi kanë qarë si “shatërvanë”, ndërsa unë u ndjeva shumë krenare për ta dhe për vendimet e tyre.
Janë përfshirë prindërit tuaj në ndonjë organizatë politike?
Jo, jo, nëna ime as që do të dëgjojë për këto gjëra. Kur u vendosën në Paris, ajo i preu urat e komunikimit me të gjithë. Ajo ishte pjesë e një shoqate bashkë me pesë avokatë të tjerë, të cilët u eliminuan të gjithë dhe ajo ishte e vetmja e mbijetuar. Por ka shumë gjëra që unë nuk i di, sepse në familje periudha e diktaturës është një çështje tabu.
Jeni kthyer më në Argjentinë?
Po. M’u desh kohë deri atëherë, sepse prindërit e mi as që donin të dëgjonin për këtë. Por në vitin 2001 vendosa të shkoja vetëm dhe jam dashuruar me vendin tim. Atje janë ende gjyshërit e mi, xhaxhallarët, kushërinjtë… kam edhe një motër atje dhe tashmë shkoj shpesh. Me dy fëmijët e mi flas gjithnjë spanjisht dhe kemi sekretet tona të vogla, sepse Michel nga spanjishtja nuk kupton asnjë fjalë.
Po ju ndiheni më shumë parisiene apo latine?
Jam argjentinase: familja për mua është shumë e rëndësishme. Flas me prindërit e mi çdo ditë dhe në shtëpinë time dera është gjithnjë e hapur. Në Francë, nëse do të takosh dikë në mëngjes, duhet të organizohesh qysh prej dy javësh… besoj se personazhi im tek “The Artist”, ashtu si unë, në fund të fundit ka një shpirt argjentinas: i pëlqen të japë, të argëtohet e të shijojë jetën.
E keni ndjekur realizimin e filmit qysh në gjenezë, bashkëshorti juaj është regjisori, flisnit për të gjatë gjithë kohës?
Nuk kam ndërhyrë kurrë në punën e tij, por ama më fliste shpesh për projektin e tij; kur më në fund lexova skenarin, nisëm të shihnim së bashku dhjetëra filma. Ai lexon libra gjatë gjithë kohës dhe thith gjithçka si një sfungjer. Madje është i bindur se duhet të thellohet edhe më. Është i palodhur…
Cila është këshilla më e mirë që ju ka dhënë?
Mos humb kohë duke parë filma të bukur, shih më mirë ata të realizuarit keq, kështu kupton gabimet që duhet të evitosh. Dhe unë e ndoqa…
Kur vendosët të bëheshit aktore?
Isha shumë e vogël, ndoshta 5 apo 6 vjeç. Nuk di të them as përse… U rrita me time motër, dhe asaj i pëlqen shumë të shkojë në kinema, por nuk i shkoi kurrë ndër mend një gjë e tillë. Gjithnjë provoj një kënaqësi shumë të madhe teksa shoh një film: qaj, qesh, mallëngjehem dhe më pëlqen ideja e të përcjellit të këtij emocioni tek publiku. Kur e mendoj tani, kur isha e vogël isha shumë e ndrojtur dhe nuk recitoja as përpara prindërve të mi. Ndërkohë që ime motër ishte ajo më e shkathëta dhe gjithnjë në qendër të vëmendjes.

© Panorama.al

Te lidhura