
Policia Bashkiake dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik kanë vijuar me prishjen e disa ndërtimeve pa leje në territorin e Tiranës.Në një njoftim për mediat, Bashkia e Tiranës bën me dije se inspektorët kanë ndërmarrë disa veprime për prishjen e këtyre objekteve në zona të ndryshme të kryeqytetit. Kështu, vetëm dje Policia Bashkiake ka prishur dy objekte. “Në dt.12.8.2011, në orën 10.00, u krye aksioni për prishjen e objektit, shtesë kati me sipërfaqe 120m² konstruksion metalik, kjo në zbatim të vendimit nr. 5255, dt. 5.8.2011, ndaj subjektit P. K, në rr.”Ali Demi”, pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë”. Aksioni përfundoi me ekzekutim të plotë të vendimit. Në dt. 12.8.2008, ora 13.00, u krye aksioni për prishjen e objektit rrethim me sipërfaqe 10m², konstruksion druri, kjo në zbatim të vendimit nr.5109, dt. 12.4.2011, ndaj subjektit A. V , në rr. “Arben Broci”, pranë Fakultetit Ekonomik. Aksioni përfundoi me ekzekutim të plotë të vendimit”, bën me dije njoftimi për shtyp për aksionet e djeshme. Ndërkaq, në ditët e mëparshme ka pasur disa aksione të tjera. “Në dt. 7.8.2011, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, u bë pezullimi i punimeve në objektin pa leje, të kryer nga I. K dhe u bllokuan mjetet betoniere. Në dt. 08.08.2011, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake u organizua puna dhe u ndërhy për realizimin e prishjes së objektit mur për papafingo, kjo në zbatim të vendimit nr. 5256, dt. 8.8.2011, ndaj subjektit L. Zh, në Rrugën e Dibrës. Që nga data 10.08.2011 e deri sot, është ndërmarrë aksioni për prishjen e objektit 5-katësh, kjo në zbatim të vendimit nr. 5251, dt. 22.7.2011, ndaj subjektit K. M, në rr.”Ismail Strazimiri”. Vazhdon ende puna për prishjen e plotë të objektit”, thuhet më tej në njoftim. Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, është shprehur dje se aksionet do të vijojnë deri në prishjen e çdo objekti që nuk plotëson asnjë kriter ligjor. Sipas tij, është bërë e mundur që vetëm në 72 orë të ndalohen punimet në 67 objekte, të cilat ishin pa leje. Ai ka bërë thirrje që të mos ndërtohet pa leje, ndryshe qytetarët do të përballen me forcën e ligjit. “Ne jemi të vendosur dhe ligji do të sundojë në territorin e kryeqytetit. Kemi konstatuar dhe bllokuar raste të tjera të ndërtimit informal. Zbatimi i ligjit do të jetë i vazhdueshëm dhe do të kthehet në rutinën e përditshme të punës. U bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve, të bashkëpunojnë me Policinë Bashkiake, si dhe u bëjmë thirrje qytetarëve, të mos ndërtojnë pa leje. Ligji do të zbatohet në mënyrë rigoroze, sepse ligji i shërben qytetit, u shërben qytetarëve”, ka thënë drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha.
5 objekte
pa leje ka prishur vetëm këto ditë Policia Bashkiake e Tiranës, ndërsa ka bërë ndalimin dhe pezullimin e punimeve në 107 objekte pa leje në të gjithë territorin e bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër, është bërë e ditur se prishja e objekteve do të vijojë.
Rastet
Policia Bashkiake ka bërë bllokimin e punimeve në mbi 100 raste të ndërtimeve pa leje, ndërsa aksionet në terren vijojnë çdo ditë nga strukturat përkatëse të Bashkisë së Tiranës. Sipas njoftimit për shtyp të Bashkisë së Tiranës, aksioni do të vazhdojë deri në kthimin në gjendjen fillestare. Policia Bashkiake do të kujdeset edhe për pastrimin e territorit. Prishja e ndërtimeve pa leje do të kryhet çdo ditë.
Aksionet
Sipas Policisë Bashkiake, aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, për të kthyer në gjendjen e mëparshme territorin, kudo që është ndërtuar jashtë kritereve ligjore. Pas konstatimit të ndërtimeve, Policia Bashkiake ka bllokuar punimet dhe pas kryerjes së akt-kontrollit, merr masat për shembjen e ndërtesës dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme. Pas thirrjes që bëri Bashkia e Tiranës për të mos ndërtuar pa leje, mjaft qytetarë kanë bashkëpunuar me autoritetet për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e kryeqytetit.
© Panorama.al











