Katër fëmijë largohen nga rruga dhe dërgohen në qendra rehabilitimi. Dy javë pas urdhrit të përbashkët të Ministrisë së Punës dhe asaj të Brendshme, kanë nisur të merren masat e para. Të dhënat u raportuan dje, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve.
“Janë katër raste të identifikuara që kanë marrë urdhrin e mbrojtjes. Ata janë sistemuar pranë institucionit të përkujdesit social për viktimat e dhunës. Është një rast që është referuar si viktimë e mundshme trafikimi dhe është referuar pranë Qendrës Kombëtare pritëse të viktimave të trafikimit”, tha Matilda Tyli, nga Drejtoria e Politikave të Shërbimeve Sociale.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin përfaqësues të ministrive të linjës, si dhe të shoqërisë civile. “Tashmë ka filluar aksioni i përbashkët në Tiranë, i cili do të shtrihet në të gjithë vendin, për heqjen e fëmijëve nga rruga dhe në bashkëpunim me njësitë për mbrojtjen e fëmijëve pranë bashkive dhe komunave, këtyre fëmijëve do t’u ofrohet e gjithë mbështetja e nevojshme”, tha ministri i Punës, Spiro Ksera.











