Aksioni “Laptopi”, arrestohen grabitësit e 20 apartamenteve

Feb 24, 2012 | 12:33

Policia e Tiranës ka goditur mbrëmë një grup kriminal që akuzohet se ka kryer grabitjen e më se 20 banesave në Tiranë. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare që thanë se tre persona janë arrestuar dhe dy po hetohen në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Laptopi”. Operacioni është kryer nga Komisariati Nr.3 i Policisë së Tiranës, ku është bërë i mundur arrestimi i shtetasit Eldorado Mera, 23 vjeç, nga Tepelena, Bjorn Mata, 19 vjeç dhe G. Prendi, 13 vjeç, ndërsa po hetohen në gjendje të lirë shtetasit Agim Dizdari dhe Teri Fergaj. Pesë personat, sipas Policisë, përbënin një nga grupet më aktive në Tiranë në drejtim të grabitjes së banesave. Sipas hetimeve disamujore të Policisë, të dyshuarit rezultojnë të kenë kryer mbi 20 vjedhje apartamentesh, me thyerje dhe me përdorim kartash për dyert e blinduara. Burimet e hetimit pohuan mbrëmë se të arrestuarit dhe personat që po ndiqen në gjendje të lirë kanë vepruar kryesisht në zonat “Don Bosko”, Laprakë dhe në rrugën “Jordan Misja”. Ata akuzohen se vidhnin celularë, kompjuterë, bizhuteri dhe para. Dy personat që hetohen në gjendje të lirë, shtetasit Agim Dizdari dhe Teri Fergaj akuzohen për përvetësim të materialeve të vjedhura.

© Panorama.al

Te lidhura