Me vendim të kryeministrit Thaçi, Policia speciale e Kosovës u sul drejt
Veriut të Kosovës dhe u tërhoq duke kryer një punë të madhe, por jo në dobi tëKosovës, po në dobi të Beogradit. E vetmja dobi që Kosova pati me këtë rast, është se qytetarët e saj u gëzuan së tepërmi për një ditë të tërë. Qytetarët e Kosovës në këtë krizë ekonomike, morale, institucionale, kanë
nevojë për lajme të gëzueshme, por për gëzime të njëmendta, e jo për mashtrime, gëzim ky që shndërrohet më pas në zhgënjime të thella. Kosova fitoi një hero më shumë dhe një viktimë më shumë: policin e vrarë, Enver
Zymberi, dhe pësoi një dëm vështirë të riparueshëm politik.
VLERËSIMI SELEKTIV I PRESIDENTES SË KOSOVËS
Presidentja e Kosovës, shyqyr Zotit, u kujtua ta shpallë hero Enver Zymberin, por nuk u kujtua t’i shpallte heronj edhe tre ish-kolegët
e saj: policin polak, policin indian dhe atë ukrainas që u vranë në detyrë në Veri të Kosovës në vitet respektive 2002, 2005 dhe 2008.
NAIVITETI I OPOZITËS
Opozita tregoi se nuk është inatçore, përkrahu fuqishëm veprimin e Kryeministrit, të cilin ajo e besoi se është i menduar mire e me qëllim, çfarë të gjithë ne e dëshirojmë. Me këtë opozita tregoi edhe naivitetin e saj, sepse
një veprim i menduar mirë, nuk mund të jetë rezultat i veprimeve ad-hock zanzibariane, por i një strategjie konsistente dhe të harmonizuar mirë e mirë me faktorët ndërkombëtarë dhe, natyrisht, edhe me opozitën. Nëse opozitën
s’e ka pyetur kush, atëherë si ka menduar opozita, se qeveria ka mundur të bëjë gjëra të interesit të madh kombëtar duke e injoruar opozitën?
PËRSËRITJA E GËNJESHTRËS SË PSSP STEINER
Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që opinioni kosovar mashtrohet rrast me punën e Veriut të Kosovës. Herën e parë, PSSP Steiner më 25.11.2002 mashtroi opinionin Kosovar përmes mediave se e çliroi Veriun e Mitrovicës.
Në fakt, ai atëherë u shtroi drekën e turpit liderëve politikë qendrorë në Prishtinë dhe darkën e turpit atyre lokalë në Mitrovicë, mashtroi mediat dhe qytetarët u gëzuan për një mbrëmje të tërë duke bërë festë të madhe.
Të nesërmen, panë se strukturat e deridjeshme paralele serbe në Veri të Mitrovicës u punësuan në UNMIK dhe se udhëheqja komunale nuk kishte më kompetenca përtej lumit Ibër. Atëherë, shumë shqiptarë të Kosovës hëngrën
dajak duke menduar se u çlirua Veriu i Mitrovicës, po të paktën atëherë asnjë njeri nuk u vra.
PSE NA DUHEN VIKTIMA, PËR NJË SPEKTAKËL TELEVIZIV?
Komunikata zyrtare është se Policia speciale mbaroi punën e vet dhe se doganierët tashmë janë në pikën 1 dhe 31 e se për këtë është arritur marrëveshje. Me kë është arritur marrëveshja, kjo nuk thuhet. Nëse është fjala për KFOR-in, atëherë shtrohet pyetja: vallë a është dashur gjithë ky spektakël televiziv dhe një jetë polici për t’u bërë kjo marrëveshje? Përse kjo marrëveshje me KFOR-in nuk është bërë pa zhurmë?
PASOJAT FATALE PËR KOSOVËN?
E keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës me këtë aksion, është se është komprometuar ideja e marrjes së kontrollit me intervenim force, e cila ka mundur të jetë një argument i fortë në bisedime, të cilin ndoshta nuk
kishte pasë nevojë kurrë me e përdorë, por që kish me kry punë. Ekspertë ndërkombëtarë policorë e ushtarakë thonë se aksioni ka qenë për mjerim. Policia e Kosovës ishte me fat që shpëtoi vetëm me një viktimë, ndërsa mundësia reale ishte qe të kishte shumë viktima. Derisa funksionarët shtetëror kanë xhipa të blinduar, Policia e Kosovës niset për ta marrë Veriun nën kontroll me xhipa “Kia”!. Ky është realiteti i hidhur shtetësisë sonë. Në të ardhmen do të jetë e vështirë me dërgu njësi policore në detyra të tilla. Pas këtij aksioni, Policia e Kosovës ka humbur besimin se lidershipi politik i mendon gjërat mirë e mirë dhe nuk bën hajgare me jetët e tyre. Kryeministri i
ardhshëm, nëse do të jetë më serioz se ky aktuali, do ta ketë shumë-shumë më vështirë të riparojë dëmin politik që solli kjo përpjekje e dështuar.
NGJASHMËRIA ME LAJMIN E 1 PRILLIT 2010 NË “TV MITROVICA”
Është e pabesueshme ngjashmëria mes asaj çfarë ndodhi dje e sot në veri të Kosovës me lajmin e 1 prillit 2010 në “TV Mitrovica”, vetëm ca personazhe ndryshojnë: në vend të gjeneralit Bentler, tani komandant i KFOR-it është Buhler. Në vend të Presidentit Sejdiu, tani është Jahjaga dhe tani mungon reagimi i Ramush Haradinajt që tani është në Hagë.
LAJMI I 1 PRILL 2010 NË “TV MITROVICA”
Qeveria e Kosovës merr nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31. Sot në mëngjes, me një aksion të koduar me emrin “Gjarpri”, njësitet speciale të Policisë së Kosovës morën nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31. Lajmin e bëri të ditur CNN, i cili shfaqi në ekran kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të veshur me uniformë ushtarake që nuk dallonte shumë nga Presidenti i Gjeorgjisë, Mihail Shakashvilli, gjatë invadimit rus në Gjeorgji. Menjëherë pas këtij operacioni, erdhën edhe reagimet ndërkombëtare. Shefi i ICO, Piter Faith, tha se ky aksion është rezultat i strategjisë së përbashkët të ICO-s dhe qeverisë
së Kosovës, andaj e përkrah përderisa u arrit pa përdorimin e dhunës. Ambasadori Chriss Dell tha se qeveria e SHBA e konsideron si të drejtë të ligjshme që një shtet të realizojë kontrollin në kufijtë e vet. Ndërsa Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, tha se KFOR-i është neutral karshi statusit të Kosovës dhe se qeveria e Kosovës do t’i mbajë
vetë përgjegjësitë për një veprim të tillë. I entuziazmuar me suksesin e operacionit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaroi se tani që realizuam në tërësi sovranitetin e vendit KFOR-i as që na duhet më dhe është e këshillueshme që të largohet nga Kosova. Presidenti Sejdiu nuk komentoi deklaratat e ndërkombëtarëve, por lavdëroi punën dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës. Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, lavdëroi njësitet speciale të Policisë së Kosovës, por edhe falënderoi miqtë tanë
ndërkombëtarë për përkrahjen morale, ndërsa akuzoi kryeministrin Hashim Thaçi për xhirim filmash me uniformë, duke thënë se me dëshirën e tij të flaktë për t’u reklamuar si strateg, ai ka rrezikuar aksionin në fjalë, për të cilin nuk kishte asnjë meritë. Sipas Ramush Haradinajt, Hashim Thaçi po të njëjtën gjë kishte bërë edhe gjatë luftës së UÇK, ku derisa ai dhe shokët e tij luftonin ballë për ballë me forcat serbe, Hashimi xhironte filma me uniformë. Ndërsa Behgjet Pacolli ka ftuar Thaçin dhe Haradinajn që të mos grinden tani që Kosova e realizoi sovranitetin e vet dhe u krijuan kushtet për zhvillim ekonomik. Lidhur me këto zhvillime politike u prononcua edhe analisti politik Nexhmedin Spahiu, por në konferencën e tij për shtyp erdhën
vetëm mediat e huaja dhe asnjë medium vendor, përveç “TV Mitrovicës”. Spahiu tha se aksioni është i vonuar shumë e aq më keq që entuziazmi është i tepruar dhe pikërisht ky entuziazëm mund të bëjë që situata të rrëshqasë nga kontrolli. Në transmetim të drejtpërdrejtë u shfaq i relaksuar kryeministri Thaçi, i cili për dallim nga skena e parë në mëngjes në CNN me rroba ushtarake, tashmë në mesditë doli vetëm në brekë të lamjes duke u bërë gati të bënte not në Liqenin e Gazivodës. Në deklaratën për mediat, Kryeministri
la modestinë anash dhe sulmoi gjithë kritikët e tij duke thënë se ai e realizoi atë që ata s’mund ta besonin kurrë dhe tani bira e minit do të kushtojë 500 grosh për të gjithë ata që kanë deklaruar se ka rrezik që Kosova të ndahet si Bosnja. Sapo tha këto fjalë, kryeministri Thaçi u zverdh në fytyrë kur befas u
paraqitën paramilitarët serbë, të cilët rrethuan e çarmatosën eskortën e tij dhe i mbetën në gojë fjalët: bira e minit, bira e minit. Zëvendëskryeministri Kuçi, i cili po shihte këtë skenë në TV nga kabineti tij, telefonoi menjëherë gjeneralin Bentler për të intervenuar në lirimin e kryeministrit Thaçi, por Gjenerali Bentler tha se KFOR-i kishte kuptuar se tashmë Kosova ishte një vend i pavarur e sovran dhe largimi i KFOR-it nga Kosova ishte në përfundim e sipër. Duke parë një situatë të tillë, marinsat amerikanë e lokalizuan territorin me pamje nga sateliti dhe nxorën Hashim Thaçin nga duart e paramilitareve serbë dhe e dërguan atë drejt e në zyrën e ambasadorit
Dell. Ambasadori Dell, i mllefosur tej mase, i tha që nuk bëhen plane shtetërore nga banaku i Zanzibarit dhe deri kur ne amerikanët duhet t’ju nxjerrim nga gropat septike ku ju vazhdimisht po bëni turr.












