ELBASAN – Policia e Elbasanit do të shpërblejë me 5 mijë dollarë personin që do të tregojë vendndodhjen e 35-vjeçarit Denis Çengeli. Një muaj më parë, ai aksidentoi për vdekje dy motrat Vloja dhe Baftjare Hekurani, 18 dhe 21 vjeçe dhe plagosi rëndë nënën e tyre. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan jep një shumë shpërblimi prej 5000 dollarësh, për të gjithë ata që japin informacione të sakta lidhur me vendndodhjen e saktë të shtetasit Denis Çengeli, duke siguruar anonimatin e tyre. Të gjithë personat që kanë një informacion të saktë, të kontaktojnë në numrin e telefonit 0694110336, të zv.drejtorit të Policisë së Qarkut Artan Hasani”, bëri të ditur zëdhënësja e Policisë së Elbasanit. Sipas saj, kjo iniciativë ndërmerret për shkak të ngjarjes së rëndë. Më 11 gusht, në Unazën e qytetit Elbasan, Denis (Aurel) Çengeli, duke drejtuar mjetin tip “Fiat Punto”, me targa AA 384 DA, aksidentoi me pasojë vdekjen dy motrat Vloja dhe Baftjare Hekurani, si dhe ka dëmtuar rëndë nënën e tyre, shtetasen N.Hekurani. Pas këtij aksidenti, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia e ka shpallur atë person në kërkim. Ngjarja ndodhi në orët e natës, ku viktimat bashkë me babain, vëllain dhe të ëmën po ecnin në trotuar, teksa ktheheshin nga një dasmë. Makina që po ecte me shpejtësi, ka dalë nga kontrolli i drejtuesit të saj dhe ka përfunduar në trotuar, duke sjellë edhe bilancin e rëndë. Vajza e madhe e familjes Hekurani ishte studente e Mjekësisë në Greqi, ndërsa e motra ndiqte një kurs parukerie po në Greqi, vend ku familja Hekurani jetonte prej vitesh. m.s











