Aksidentohet në Janinë autobusi i nisur nga Fieri, hetim shoferit

Jun 27, 2011 | 10:46

JANINE – Policia greke ka ndaluar në spital shoferin e parë të autobusit të linjës Fier-Athinë, i cili u aksidentua mesnatën e të shtunës në afërsi të Janinës, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e tetë të tjerëve. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Terovë, ku autobusi i linjës Athinë-Tiranë, pronë e kompanisë “Likometaj Travel”, është përplasur me një kamion. Sipas hetimeve të Policisë greke, mësohet se autobusi i markës “Benz” dhe me targë “AA115AJ” e ka goditur nga pas kamionin. Për pasojë, ka mbetur i vdekur në vend shoferi i dytë i autobusit, shtetasi Altin Paja, 37 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe janë plagosur disa të tjerë. Viktima e kishte këtë rrugë udhëtimin e tij të dytë, pasi vetëm pak ditë më parë kishte filluar punë në kompaninë e transportit të udhëtarëve nga Fieri për në Greqi. Policia më pas me anë të gjashtë ambulancave ka nxjerrë nga autobusi shtetasit e plagosur Gentian Seferi, drejtuesi i autobusit, Mimoza Spaho dhe djali i saj Aldi Spaho, 16 vjeç. Pikërisht për shtetasin Gentian Seferi që po drejtonte autobusin kur ndodhi ngjarja, kanë nisur procedurat e hetimit. Nga burime të Policisë në qytetin e Fierit mësohet se kompania Likometaj ka operuar prej dhjetë vitesh brenda vendit. Vetëm tri vite më parë, ajo fitoi të drejtën e transportit të udhëtarëve jashtë Shqipërisë. Autobusi që u aksidentua në Janinë nisej çdo ditë nga Fieri në ora 17:00. Burimet pranë agjencisë tregojnë se mjeti ka pasur rreth 25 pasagjerë. Shumica e pasagjerëve zgjidhnin këtë linjë, për shkak të tarifave më të ulëta që aplikonte subjekti krahasuar me kompanitë tjera.

© Panorama.al

Te lidhura