Aksidentohet autobusi i linjës Athinë-Tiranë

Feb 11, 2012 | 15:01

Autobuzi i linjës Athinë-Tiranë pëson aksident duke shkaktuar lëndimin e disa personave. Burimet policore greke, kanë konfirmuar për gazetën “Panorama” se autobuzi i linjës mes dy kryeqyteteve të dy vendeve fqinje ka pësuar aksident në orët e para të së shtunës, duke shkaktuar lëndimin e shtatë pasagjerëve.

Aksidenti ka ndodhur në km 23 në aksin ndërkombëtar Janinë-Kozani në vendin e quajtur Negraves. Autobuzi i cili i përkiste një kompanie tiranase të udhëtimit të pasagjerëve, u gjend në vështirësi në momentin e manovrimit të një kthese të pjerrët.

Sipas autoriteteve greke policore, mjeti ka dalë nga rruga është përmbysur në krahun e majtë. Në autobuz, udhëtonin 35 pasagjerë nga kryeqyteti grek në drejtim të Tiranës. Mendohet se shkaku i aksidentit, ka qenë terreni i akullt i asfaltit në zonën ku ka kaluar autobuzi.

Sipas policisë, shoferi i autobuzit, nuk ka pandehur se në asfalti ishte i ngrirë dhe për pasojë ka qarkulluar në kthesë me një shpejtësi jo normale, ndërkohë që përjashtohet mundësia që aksidenti të ketë ndodhur për shkaqe teknike apo të amortizimit të autobuzit, pasi mjeti i përket prodhimit të para tre viteve.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura