Pesë shqiptarë dhe një grek humbën jetën si pasojë e dy aksidenteve të rënda që ndodhën në Janinë mëngjesin e djeshëm.
Ngjarja tragjike që shënoi bilanc të rëndë viktimash, mes të cilëve edhe dy fëmijë 11 dhe 2 vjeç, ndodhi rrugës ku emigrantët shqiptarë ishin nisur për të kaluar pushimet në atdhe. Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 04:00 të së shtunës, në periferi të Janinës, kur një automjet i drejtuar nga shtetasi grek Ksenis L., 29 vjeç, është përplasur me një tjetër që vinte në kahun e kundërt, duke shkaktuar tri viktima. Policia greke konfirmoi se aksidenti ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të Ikeas në Janinë. Mjeti me të cilën udhëtonte shtetasi grek ka parakaluar një kamion të ngarkuar me inerte, por ndërkohë përballë tij, u shfaq vetura që vinte në drejtimin verior të Greqisë, për në Kakavijë. Përplasja ka qenë fatale duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 29- vjeçarit grek Ksenis L., ndërkohë që humbën jetën edhe dy nga katër pasagjerët shqiptarë që ndodheshin në mjetin që kishte drejtim Kakavijën. Viktimat janë drejtuesi shqiptar i autoveturës, 40- vjeçari me inicialet A. S., si dhe një vajzë 11 vjeçe. Njëri nga pasagjerët që udhëtonte me dy viktimat u transportua në gjendje të rëndë në drejtim të spitalit “Haxhikosta” në Janinë, ndërsa tjetri, siç mësohet, kishte pësuar plagë më të lehta. Sipas Policisë së Janinës, shkak i ngjarjes është bërë parakalimi i gabuar i 29- vjeçarit grek duke hyrë në korsinë e kundërt. Ndërsa aksidenti tjetër me pasoja tragjike ndodhi rreth orës 08:00 me orën greke. Mësohet se dy automjete lëviznin në krah të kundërt me njëritjetrin, ndërkohë që një prej tyre hyri në korsinë e gabuar duke shkaktuar tragjedinë e radhës. Automjeti që drejtohej nga një 23-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur nga autoritetet greke, u përplas me një tjetër makinë që drejtohej nga një shtetas grek në afërsi të fshatit Lapsista të Janinës. Kthesa e fortë ka rezultuar fatale për emigrantët që ndodheshin në bordin e automjetit që udhëtonin drejt Shqipërisë. Sipas burimeve të Policisë greke, përplasja ka qenë mjaft e fortë aq sa ka shkatërruar në masën 80 për qind gjendjen fizike të autoveturës. Të tre shtetasit shqiptarë që gjendeshin në bord, përkatësisht drejtuesi i mjetit 23-vjeçar, një grua 49 vjeçe dhe një vajzë 2-vjeçare, kanë vdekur në vend. Të dyja aksidentet e djeshme janë konsideruar nga më të rëndët që janë shënuar ndonjëherë në këtë zonë. Deri në orët e vona, policia nuk bëri të ditur identitetet e viktimave dhe as qytetet e origjinës së tyre. Ndërkaq, i plagosuri që ndodhet në spital është në gjendje të rëndë dhe mjekët ende nuk kanë konfirmuar nëse e ka kaluar rrezikun për jetën. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i pohuan policisë se në të dyja rastet, makinat e viktimave kishin qenë në korsinë e duhur dhe brenda normave të shpejtësisë.
Nga përplasja, edhe dy të plagosur
Si pasojë e aksidenteve të rënda, edhe dy persona mbetën të plagosur. Mësohet se njëri prej tyre është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur më lehtë dhe është jashtë rrezikut. Policia greke nuk bëri të ditur identitetet e tyre, ndërsa ka nisur hetimi për të dy ngjarjet e rënda
PIRO NASE
© Panorama.al











