
Arrestohet drejtuesi i fuoristradës, goditi dy pemë dekorative nga shpejtësia te Shkolla e Bashkuar.
Tiranë, makina “fluturon” në trotuar, vret shitësin ambulant.
Një shitës ambulant ka gjetur vdekjen dhe tre të rinj janë plagosur në një aksident të rëndë pasditen e djeshme në Tiranë. Viktima është një shitës ambulant, i cili është aksidentuar për vdekje nga një fuoristradë që humbi kontrollin për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara dhe doli nga rruga duke hipur në trotuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30, në një prej kryqëzimeve të Rrugës së Dibrës, te Shkolla e Bashkuar. Burime nga Policia Rrugore e kryeqytetit thanë se viktima është 59-vjeçari Gëzim Keçi, i cili në momentin që është përplasur nga makina, po shiste paketa cigaresh, në një tavolinë të improvizuar në anë të trotuarit. Automjeti tip “Jeep”, me targë AE 497 YL, që shkaktoi aksidentin, drejtohej nga 22-vjeçari Pajtim Shenaj. Gjithashtu, në makinë ndodheshin edhe dy miqtë e Shenajt, Anton Talanishi, 19 vjeç dhe Armand Tujani, 17 vjeç, që sipas Policisë po ashtu kanë pësuar plagë të rënda si pasojë e aksidentit. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forca të shumta të Policisë Rrugore, të Komisariatit Nr.4, si dhe dy zëvendësdrejtorët e Policisë së Tiranës. Për disa minuta u bllokua lëvizja e automjeteve përgjatë Rrugës së Dibrës, për shkak të matjeve nga ekspertët rrugorë dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, me një rreze prej më shumë se 15 metrash. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes ishte e pranishme edhe një makinë zjarrfikëse. Me mbërritjen e policisë u konstatua se tregtari ambulant kishte ndërruar jetë dhe trupi i tij u transportua në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërsa drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët që ndodheshin në automjetin që shkaktoi aksidentit u transportuan në spital për t’u mjekuar.
AKSIDENTI
Nga matjet e kryera në vendin e aksidentit nga ekspertët e Policisë Rrugore, por edhe nga deklarimet e dëshmitarëve, grupi hetimor ka ndërtuar skemën e ngjarjes, duke zbuluar dinamikën se si ka ndodhur aksidenti. Burimet thanë se, rreth orës 15:30, rezulton që automjeti tip “Jeep”, me targë AE 497 YL, i drejtuar nga Pajtim Shanaj, ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara, nga Kinostudio në drejtim të kryqëzimit të spitalit “Nënë Tereza”. Automjeti ka hyrë me shpejtësi në kryqëzim, edhe për shkak se semafori ishte jeshil dhe vetëm pesë metra pasi ka kaluar semaforin, drejtuesi i fuoristradës ka humbur kontrollin. Makina i ka kaluar shumë pranë trafikndarëses së Rrugës së Dibrës, duke bërë që goma e majtë e krahut të shoferit të prekë betonin në mes të rrugës dhe për pasojë është kthyer në rrugë, duke marrë para 2 pemë dekorative dhe një tabelë të sinjalistikës vertikale. Automjeti ka ndaluar vetëm pasi ka përplasur për vdekje shitësin ambulant, 59-vjeçarin Gëzim Keçi, i cili nuk ka arritur të lëvizë nga vendi ku po shiste paketa cigaresh, për shkak se gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondash. Fuoristrada në fund është përplasur me murin e një kazinoje që ndodhej pas vendit ku qëndronte tregtari ambulant.
Aksidenti
VIKTIMA1. Gëzim Keçi,
59 vjeç, tregtar ambulantTE PLAGOSUR
1. Pajtim Shanaj,
22 vjeç, drejtuesi i mjetit2. Anton Talanishi,
19 vjeç, pasagjer3. Armand Tujani,
17 vjeç, pasagjer
Shoferi dhe pasagjerët, të plagosur rëndë
TIRANE – Aksidenti i pasdites së djeshme në Tiranë ka qenë fatal për shitësin ambulant Gezim Keçi, por nuk ka kaluar pa pasoja edhe për drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin, si dhe dy miqtë e tij që ishin pasagjerë në “Jeep”-in që ai drejtonte. Sipas burimeve nga Policia, të tre të rinjtë kanë pësuar plagë të rënda, për shkak se përplasja ka qenë shumë e fortë. Të plagosurit, Pajtim Shanaj, 22 vjeç, Anton Talanishi, 19 vjeç dhe Armand Tujani, 17 vjeç, janë transportuar me urgjencë në spital, për shkak të plagëve të rënda që kanë marrë. Ndërsa për drejtuesin e mjetit, Pajtim Shanaj, është marrë masa e arrestit në flagrancë nga oficerët e Policisë Rrugore, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen. Si shkak paraprak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që drejtuesi i mjetit mund të ketë qenë edhe nën efektin e pijes alkoolike. Për këtë arsye, ai u testua me gyp indikator alkooli.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











