Presidentja e Argjentinës, Kristina Kirçner, ka shpallur dy ditë zie kombëtare për 49 viktimat e aksidentit me tren në Buones Aires, më i keqi ndër dekada për vendin. Ajo ka shprehur dhembjen e saj të thellë për fatkeqësinë e ndodhur dhe ka shpallur zi kombëtare dyditore në vend e ka pezulluar edhe shumë manifestime publike, përfshirë paradën e së premtes për mbylljen e karnavaleve. Në fatkeqësinë hekurudhore në Buenos Aires u regjistruan 49 të vdekur dhe 576 të lënduar. Autoritetet argjentinase ende po i hetojnë shkaqet e fatkeqësisë. “Supozojmë se shkak ishte prishja e frenave të trenit”, deklaroi të enjten sekretari për Komunikacion i Argjentinës, Juan Pablo Skiavi.











