
“Hyra me të kuqe në semaforin e parë, i dyti jeshil”
Ekspertiza për ngjarjen e 20 nëntorit: “BMW X6″ po ecte me 50 km/h, “Mini Cooper”-i me 70 km/h
Ledion Ruçi, djali i deputetit të PS, Gramoz Ruçi, ka pranuar se ka hyrë me të kuqe në semaforin e parë te rruga që zbret nga selia e seancave plenare të Parlamentit në drejtim të urës së Lanës te Rruga e Elbasanit. Por, sipas dëshmisë së 28-vjeçarit, në semaforin e dytë, pasi ka hyrë në kryqëzim, ai ka qenë me jeshile, ndërkohë që është goditur në të djathtë nga mjeti “Mini Cooper”, në të cilin humbi jetën një vajzë dhe u plagosën shoferi së bashku me një pasagjere. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” shtetasin Edi Lika, drejtues i makinës “Mini Cooper”. Ndërkohë, gjatë hetimit për aksidentin e rëndë është marrë në pyetje edhe Ledion Ruçi, i cili ka dhënë variantin e tij për ngjarjen e ndodhur në nëntor të vitit që kaloi.
Dëshmia e Ruçit
“… Kalova kryqëzimin e bulevardit ‘Zhan D’Ark’ dhe u futa në urën e Lanës, për të ecur drejt Rrugës së Elbasanit. Kur u futa mbi urë frenova për të ndalur mjetin, pasi pashë në distancë që semafori ishte me drite të kuqe dhe djathtas në semafor ishte ndalur një makinë. Duke ndaluar sapo afrohesha te semafori në kryqëzimin e bulevardit ‘Bajram Curri’, drita e semaforit nga e kuqe u ndez jeshile, që më lejonte të vazhdoja lëvizjen drejt Rrugës së Elbasanit. Sapo u ndez jeshilja, unë nuk kisha ndaluar plotësisht dhe i dhashë gaz për të kaluar kryqëzimin. Sapo fillova të kaloja kryqëzimin, nga e djathta ime, në bulevardin ‘Bajram Curri’, pashë dritat e një makine që erdhi me shpejtësi shumë të madhe dhe më përplasi te goma e parë e krahut të djathtë”.
Aksidenti sipas hetimit
Më datë 20.11.2011, Ledio Ruçi, drejtues i mjetit tip “BMW X6” me targa greke IKY3939, pasi ka lënë lokal “BRIKER”, që ndodhet pranë ish-kinema “17 Nëntorit”, ku ka qenë duke darkuar së bashku me shokun e tij Ermal Brixhi dhe shtetasen Anja Haxhia, është nisur drejt qendrës për të përfunduar më pas në rrugën “Xhorxh Bush”, me qëllim kalimin në Rrugën e Elbasanit. Të ndodhur pranë kryqëzimit të rrugës “Zhan D Ark” para grupit të parë të semaforëve pranë urës, e duke qenë se nuk ka pasur lëvizje, mjeti ka kaluar semaforin me ngjyrë të kuqe duke hyrë në urën e Lanës me qëllim vazhdimin e Rrugës së Elbasanit. Ndërkohë që ka qenë akoma në lëvizje në urë është hapur (me ngjyrë jeshile) semafori i dytë dhe mjeti me shpejtësi ka vazhduar lëvizjen edhe pak metra, derisa është përplasur me një mjet tjetër tip “Mini Cooper”, me targa italiane CG 832 CS, i cili drejtohej nga i pandehuri Edi Lika.
Si rezultat i përplasjes me pjesën ballore të Mini Cooper-it me pjesën e përparme të djathtë të BMW-së, ky i fundit është rrotulluar me 90 gradë, pra ka ndryshuar drejtimin e lëvizjes pingul dhe për inerci është përplasur me trotuarin. Pasi e ka kaluar atë, ka ndaluar te një kolonë betoni pranë një njësie tregtare. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar thuajse të gjithë personat, të cilët kanë qenë në dy mjetet, por me pasoja të pariparueshme për jetën udhëtarja e vendit të parë të mjetit “Mini Cooper”, Brunilda Pinderi, si dhe dëmtuar lehtë shtetasja Pinellopi Rafti. Sipas ekspertizës, drejtuesi i autoveturës tip “BMW X6” lëvizte në drejtimin nga Parlamenti drejt urës së madhe te Rruga e Elbasanit, drejt Liceut Artistik me një shpejtësi lëvizjeje 50 km/h dhe drejtuesi i Mini Cooper-it dilte nga ETC-ja drejt Bërrylit me një shpejtësi lëvizjeje 70 km/h. Aksidenti ka ndodhur në një kryqëzim ku fushëpamja është e kufizuar për shkak të parmakut të ngritur të urës. Meqenëse ky kryqëzim është me semafor dhe faktit tjetër që shpejtësitë e lëvizjes kanë qenë pothuajse të përafërta, aksidenti ka ndodhur në sekondën psikike dhe ata nuk kanë pasur mundësi të shmangnin aksidentin. Duke u bazuar te fakti se aksidenti ka ndodhur natën, atëherë drejtuesi i autoveturës tip “Mini Cooper”, i cili lëvizte në bulevardin “B. Curri”, duhet t’i jepte përparësinë mjetit që vinte nga e majta, pasi ai kishte semaforin e kuq dhe i ishte ndaluar lëvizje. tr.so
© Panorama.alDURRES/ Prokuroria çon çështjen në ditën e tretë të ndalimit
Ndalimi i Ledio Ruçit për kanabis, 28-vjeçari sot në Gjykatë për masën
DURRES – Prokuroria e Durrësit do të dërgojë sot në gjykatë çështjen e ndalimit të 28-vjeçarit Ledian Ruçi. Djali i deputetit do të përballet me togat e zeza për akuzën e ngritur ndaj tij, atë të prodhimit dhe mbajtjes së 1.5 gramëve lëndë narkotike, kanabis sativa, e cila u gjet në derën e shoferit. Droga u zbulua të hënën, sipas policisë, falë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në makinën me targa zyrtare “Volkswagen Touareg”, në pronësi të familjes së deputetit Ruçi. Pasi ka kaluar më shumë se 48 orë në ambientet e izolimit të komisariatit të Durrësit, Ledio Ruçi do të kalojë në Gjykatën e Durrësit, ku do të caktohet për fatin e tij. Burime të brendshme të Prokurorisë së Durrësit pohuan dje këtë fakt, ndonëse nuk bënë të ditur se cila do të jetë masa e sigurisë që do të kërkohet në gjykatë për 28-vjeçarin Ruçi. Ndërkohë, prania e të riut në gjykatë do të zbardhë dhe dëshminë e tij mbi sasinë e drogës së gjetur në makinën me targë TR 0141 Z. Lënda narkotike u gjet sipas policisë në derën e shoferit të mjetit, i cili drejtohej nga djali i deputetit socialist. Brenda tre ditësh, Ledian Ruçi u ndalua 2 herë nga policia e Durrësit. Hera e parë ishte kur makina me targa Z, e drejtuar nga 28-vjeçari u bllokua të premten e shkuar për mungesë dokumentacioni, ndërsa në mjet u gjet një armë sportive. Ndërsa herën e dytë, Ruçi u ndalua për shkak se agjentët e antidrogës zbuluan në makinë një sasi prej 1.5 gramë kanabis sativa, për të cilën u akuzua 28-vjeçari, si drejtues dhe posedues i mjetit. Për herë të dytë makina është bllokuar pasditen e së hënës, në cilësinë e provës për shkak të sasisë së drogës së gjetur në makinë. Vetë deputeti Gramoz Ruçi mësohet se ka hedhur dyshimet e tij për praninë e drogës në makinë, ndërkohë që mjeti ishte kontrolluar më parë. Ai ka pohuar se do të presë vendimin e gjykatës për të dhënë një deklaratë zyrtare për këtë çështje.











