
ELBASAN – Gjykata e Elbasanit la në burg pa afat drejtuesin e autobusit që shkaktoi aksidentin e aktivistëve të Aleancës Kuq e Zi, në vendin e quajtur “Qershitë”, në Qafë-Kërrabë. 43-vjeçari Mit’hat Biçaku u akuzua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkaq, kërkesa e grupit hetimor dhe e ekspertëve për nxjerrjen e autobusit ka dështuar edhe dje. Familja e shoferit nuk ka mundur të përballojë shpenzimet e nevojshme për sigurimin e vinçit që nevojitet për të nxjerrë autobusin. Ata kontribuuan me mjete tip “Vinç” për nxjerrjen e mjetit, por nuk pati sukses. Këtë mesjavë pritet që të sigurohet një vinç tjetër me kapacitet më të fuqishëm. Mësohet se Policia e Shtetit, për efekt edhe të hetimeve dhe kryerjes sa më të shpejtë të aktit të ekspertimit teknik, do të financojë me rreth 500 mijë lekë vinçin që do të përdoret për nxjerrjen e autobusit në Qafë-Kërrabë. Kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Elvin Gokaj, u shpreh se po punohet me të gjitha mjetet dhe kapacitetet njerëzore të mundshme për të hetuar sa më shpejt që është e mundur këtë ngjarje. Ndërsa shefi i Njësisë Rajonale të Qarkullimit Rrugor për qarkun e Elbasanit, Selman Pema, tha se pas aksidentit shoferi i është nënshtruar testit të alkoolit dhe nuk ka rezultuar pozitiv. Gjatë seancës gjyqësore, Biçaku ka deklaruar se “ka qenë mjeti ‘Fuoristradë’ ai që i ka prerë rrugën autobusit”. m.s











