U bënë të njohura në mënyrën që nuk e kishin menduar kurrë. Për 11 prej tyre fati kishe vendosur t’i ndryshonte “udhë”, ndërsa të tjerat janë ende këtu në bashkudhëtim me ne, në këtë botë, ndoshta për të riparë gjithçka ndryshe, si një jetë e dhuruar për së dyti. Është një mrekulli që shumica e atyre vajzave që udhëtonin drejt Himarës në atë autobus janë ende gjallë. Dhe për Eriseldën e Florijen që luftojnë për të mbijetuar, mbeten vetëm lutjet.
Të mbijetuarat e tjera folën në media. Jam i bindur që nuk do të donin që fjala e tyre e parë për publikun në media të ishte për ikjen e shoqeve nga kjo botë, por për letërsinë, poezinë, ose fundja për mënyrën se si ato e mendonin jetën. Teksa bisedonim në leksion, flisnim për shumë gjëra. Pa dyshim, edhe për vdekjen. Pasi gjithnjë kam pasur bindjen se, pa kuptuar vdekjen, pa menduar për vdekjen, nuk mundet assesi të flasësh për jetën, e aq më pak ta kuptosh atë. Për ato 23 vajza që mbijetuan, por edhe për shoqet që ishin në një mjet fare pranë tyre, fjala dhe të menduarit rreth vdekjes tashmë do të ndryshojë dhe se shumë prej tyre nuk do të mund ta kenë të lehtë ta heqin atë imazh nga sytë.
Zoti deshi që shumë prej tyre të jetonin, të vijonin bashkë me të tjerët. Ato ishin vetëm një hap larg atyre që mbyllën sytë. Pra ato e dinë që nuk iu shmangën fundit për shkak të zotësisë së tyre, por se ashtu ishte e shkruar. Ky mesazh i mbetur së bashku me to për jetën, është një motiv i rëndësishëm që ato të shikojnë përpara, sepse secila prej tyre mundet, sepse secila prej tyre është e zonja të kuptojë që vlen ta duash jetën, qoftë ajo edhe një ditë më shumë, edhe një muaj, edhe një vit, pa harruar për asnjë çast urimin e përbashkët: “U plakshin 100 vjeçe e me nipër e mbesa”.
Por tani jemi këtu, përballë një gjuhe që na duhet të gjithëve ta mendojmë kur e flasim me to. Duhet sidomos të jemi të matur me fjalët, me atë që ndodhi, me ata që Zoti deshi që të jetonin ende. Në këtë mes, teksa shkruaj për to, ndihem i trishtuar për një gjuhë me të cilën mjaft media e përshkruan ngjarjen, duke treguar se thuajse nuk mendojmë dot për atë që na vjen e fundit për këtë botë dhe se e trajtojmë vdekjen njëlloj me çdo ngjarje të ditës. P.sh., shumë kolegë gazetarë tentuan ta konsiderojnë si “autobusi i ferrit” ose “arkëmort”. Po nga e dinë, xhanëm, që qenka i ferrit? Dhe pse qenka i ferrit, dhe jo parajsës? Mos vallë ata që flasin me aq kompetencë, mos kanë gjë targat e automjeteve të ferrit? E pse paska shkuar ai autobus dhe ato 13 shpirtra në atë “drejtim”, dhe jo drejt parajsës?
Natyrisht, kuptohet që kolegët e mi nuk kanë pasur qëllim ndëshkimin e tyre e të marrin rolin e gjykuesit, pasi drejtimin e gjithsecilit prej tyre do të mësojmë kur t’i bashkëngjitemi “atij rrugëtimi” – dashtë Zoti të jenë në parajsë. Por figura e përzgjedhur e autobusit, mënyra se si i përshkruan dhe për çfarë u kujdesën, mund të jetë shokuese për familjarët e atyre që ikën, por edhe për ata që mbijetuan.
* * *
Ato ishin vajza tek të cilat ëndrrat sapo kishin nisur. Ishin mësuar të buzëqeshnin e të diskutonim për rëndësinë e të kuptuarit të çdo çasti. Mirëpo, fatkeqësisht, disa prej tyre nuk do të munden të rikthehen në bankat e shkollës për t’u diplomuar, nuk do të jenë duke menduar për të qenë mësuese apo gazetare. Ndërsa shoqet e tyre, ata të cilat jeta i përqafoi sërish, kanë nevojë më shumë se gjithçka për një prani tonën, për të kuptuar se Zoti deshi që ato të jenë bashkë me ne, për të bërë diçka, diçka të mirë, për t’u dhënë kuptim hapave të tyre. E sidomos ndaj tyre ka rëndësi fjala, mënyra se si u drejtohemi. Ne duhet të mësohemi se jeta dhe vdekja janë kaq afër, bashkëjetojnë kaq shumë, por ama, gjithsecila me gjuhën e vet. Ne kemi nevojë të kuptojmë gjuhën e asaj që na vjen duke kuptuar se nuk mundej të ndodhte ndryshe, e të mos ndërtojmë situata me sikur, sepse nuk zgjidhim asgjë, por veçse shtojmë dozat e mospranimit të asaj që është shkruar të ndodhë. Në këtë rast media duhet dhe mundet të bëjë më shumë.












