Aksident me motor uji në Ohër, plagoset këngëtarja “Big Mama”

Jul 13, 2012 | 14:06
Big Mama

Këngëtarja e njohur shqiptare nga Maqedonia, Big Mama, ka mbetur dje e plagosur nga një aksident me motor uji në liqenin e Ohrit. Personi që e shoqëronte këngëtaren në manovrat në sipërfaqen e ujit ka mbetur i vdekur. Policia dhe mediat maqedonase kanë njoftuar se ngjarja ka ndodhur në mbrëmje në liqenin e Ohrit, një kilometër larg Strugës. Agjencia INA, duke cituar zëdhënësin e Policisë së Ohrit, Stefan Dimovski, ka bërë të ditur se nga ngjarja e ndodhur në liqen, ka humbur jetën një 26-vjeçar nga Debreshti i Tetovës, i cili ishte me punë të përkohshme në Danimarkë. Sipas njoftimeve nga Policia, ky person, së bashku me këngëtaren “Big Mama”, po drejtonin motorin e ujit në liqenin e Ohrit në orët e mbrëmjes. Incidenti ka ndodhur në një moment kur dy personat që ndodheshin në motorin e ujit, kanë humbur drejtimin dhe janë përplasur në sipërfaqen e ujit. Shoqëruesi i këngëtares nuk është mbajtur dot dhe trupi i tij ka dalë nga motori, i cili e ka goditur në kokë viktimën gjatë lëvizjes së çrregullt. Nga goditja e rëndë në kokë, njoftohet se personi që e shoqëronte këngëtaren ka mbetur i vdekur dhe është fundosur në ujë disa metra në thellësi të liqenit. Burimet nga vendngjarja kanë pohuar se në këtë kohë, një grup personash ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nxjerrë viktimën me plagë të rënda, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin e Strugës. Burimet zyrtare bënë të ditur se në orën 20:00 është konfirmuar klinikisht vdekja e personit në fjalë. Këngëtarja “Big Mama” mësohet se ka marrë lëndime, por është jashtë çdo rreziku, ndonëse ka pësuar tronditje të thellë. Aksidenti me motorin e ujit ka ndodhur ditën e djeshme, në një kohë kur ka hyrë në fuqi ndalesa për lëvizjen e motorëve në ujë nëpër liqene nga ora 11:00 deri në orën 18:00. Kjo ndalesë, sipas autoriteteve në Maqedoni, do të vlejë deri më 31 gusht.

© Panorama.al

Te lidhura