AK: Regjistrimi etnik, i imponuar nga jashtë

Jun 21, 2011 | 10:23

Aleanca Kuq e Zi reagoi dje ndaj deklaratës së bërë nga ministri Genc Pollo në gazetën “Panorama” për nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë. Sipas kësaj organizate, ky regjistrim është i imponuar nga jashtë dhe u shpreh se do të dorëzojë një peticion në Kuvend kundër këtij regjistrimi. “Vendimi zyrtar i komunikuar nga ministri Genc Pollo është thellësisht zhgënjyes, në mungesë të parimeve dhe standardeve demokratike si dhe prepotencës së hapur ndaj opinionit publik, i cili në mënyrë masive është përfshirë në lëvizjen kundër regjistrimit. Në këto kushte, të detyruar nga kjo trysni dhe ky presion burokratik, Aleanca Kuq e Zi është e detyruar të paraqesë pasnesër në ora 10:00 në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, peticionin e dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë, si mënyra e vetme demokratike për të frenuar një proces, i cili është imponuar nga jashtë dhe ka rrezik të destabilizojë të ardhmen politike të Shqipërisë. Ndër të tjera, ky nuk është hapi i vetëm dhe i fundit i Aleancës Kuq e Zi”, thuhet në këtë deklaratë.

At Nikoll Marku

Famulltari i Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare, At Nikoll Marku, u shpreh dje kundër regjistrimit të popullsisë me baza etnike dhe fetare. “Këta persona janë njerëz të rrezikshëm dhe armiq të hapur të identitetit dhe sovranitetit shqiptar, me veprimet e tyre politike kanë plotësuar dhe konsumuar veprën penale ndaj kombit Shqiptar. Ne kërkojmë nga organet e akuzës dhe drejtësisë të veprojnë menjëherë për t’i vënë para gjyqit dhe dënimit të merituar prej vitesh”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura