AK-ja, thirrje shtetit të mbështesë minatorët

Aug 12, 2011 | 10:39

Aleanca Kuq e Zi i ka bërë sot apel shtetit shqiptar të mbështesë me çdo kusht minatorët dhe të garantojë plotësimin e të drejtave të tyre.  Në një reagim publik, AK tha se është duke ndjekur me shqetësim gjendjen e rënduar të minatorëve grevistë.

“Minatorët janë qytetarë KuqeZi, dhe nuk duhen lejuar me indiferentizëm të humbasin jetën në minierat e koncesionit të zi. Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje autoriteteve respektive shtetërore të marrin masat e nevojshme për të hetuar koncesionet e zeza në vend dhe t`i japin fund biznesve për shitje licensash të tilla koncesionare, që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të vet. Atdheu nuk shitet në merkaton e pazareve të koncesioneve të zeza.”- thuhet në deklaratën e AK-së.

Aleanca ka kërkuar nga shteti që të mos lejojë degradimin e pasurive kombëtare, duke i bërë thirrje që të realizohet auditimi i të gjithë pasurive kombëtare që janë dhënë me koncesion dhe të mbrohen si investimet ashtu dhe të drejtat e punonjësve.

© Panorama.al

Te lidhura