Ahmeti dhe Gruevski pa kompromis për drejtoritë

Jul 2, 2011 | 10:27

SHKUP- Negociatat për formimin e Qeverisë midis VMRO-DPMNE dhe BDI janë bllokuar përkohësisht për shkak të mungesës së kompromisit për ndarjen e drejtorive. Sipas burimeve të afërta me palët negociatore, VMRO-DPMNE nuk dëshiron që t’i jape BDI-së njërën nga Drejtoritë e Ministrisë së Brendshme, saktesisht Drejtorinë e Sigurimit Publik por edhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike ose Drejtorinë e Doganave.

VMRO-DPMNE kërkon që kuadrot shqiptare të jenë në poste më të favorshme në sektore dhe nivele tjera të MPB-së, por nuk dëshiron të lëshojë kryesimin e këtyre drejtorive.

Dy partitë pritet nesër të zhbllokojnë negociatat dhe të gjejnë ndonjë kompromis për të kompletuar marrëveshjen e koalicionit, që parimisht është arritur midis dy partive dhe po udhëhiqen negociatat midis grupeve negociatore partiake.

VMRO-DPMNE deri tani nuk pranon ofertën dhe kërkesën e hapur akoma nga BDI që të nënshkruhet Marrëveshje prioritare për zgjidhjen e kërkesave, një marrëveshje e stilit të asaj të “Majit të vitit 2007” të arritur mes BDI dhe VMRO, ku zotohej kryerja e disa detyrimeve nga ana e VMRO-DPMNE, e cila kishte në koalicion PDSH-në.

Marrëveshja e BDI-së përfshin mbylljen e rasteve të Hagës përmes interpretimit të Ligjit për amnisti nga ana e Parlamentit, zgjidhja e statusit të UÇK-së, fonde të barabarta zhvillimore dhe investime për zonat shqiptare si dhe projekte tjera.

Gjatë kësaj fundjave pritet të përfundojnë negociatat, ndërsa krerët e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski pritet ti japin dritë jeshile ndonjë marrëveshje të mundshme që do të arrihet midis dyja palëve. (INA)

 

© Panorama.al

Te lidhura