Julian Ahmataj është një lojtar i Tiranës. Lojtari ka arritur të gjejë menjëherë akordin me presidentin Refik Halili dhe ditën e djeshme është paraqitur për herë të parë në seancë stërvitore nën urdhrat e spanjollit Hulian Rubio. Vetë futbollisti ka pohuar se ndihet mjaft i kënaqur që është rikthyer te kjo skuadër, duke premtuar se do të jetë pa dyshim një lojtar që do të bëjë
diferencën. Tashmë Tirana ka tre futbollistë në krahun e majtë: Kalarin, Ahmatajn dhe Nertil Ferrajn, por ashtu si edhe te Flamurtari ku u aktivizua
vjet, edhe te Tirana me gjasa Ahmataj mund të kalojë në mesfushë. Pasi u largua nga Flamurtari (sipas presidentit Gjika, ngaqë klubi vlonjat nuk kishte parà të mjaftueshme për t’i paguar rrogën këtij dhe tre lojtarëve
të tjerë: Xhafajt, Plakut dhe Devollit), Ahmataj u afrua menjëherë te Tirana. Futbollisti nisi tratativat me drejtuesit e klubit dhe, ditën e djeshme në mëngjes, pas një takimi me Refik Halilin, iu hap “drita jeshile” për të veshur
fanellën e kësaj skuadre. Futbollisti e ka nisur karrierën më 1997-n te Elbasani, skuadër me të cilën ka luajtur edhe më 2006-n dhe 2008-
2009. Por ai ka veshur edhe fanellën e Bylisit më 1999-n, Dinamos më 99-2002, Teutës më 2003-shin, sërish Dinamos në 2004-n, Partizanit në
2005-n, Tiranës në 2009-2010 dhe, sezonin e fundit, te Flamurtari i Vlorës. Lojtari ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare me të cilën ka zhvilluar dy ndeshje zyrtare. Ndërkaq, i pyetur nga “Panorama” për këtë rikthim,
Ahmataj ka pohuar se ndihet i vlerësuar që Tirana i hapi sërish derën. “Kur ika nga Tirana sezonin e kaluar, unë pata biseduar paraprakisht me presidentin Halili dhe mes nesh nuk kishte asnjë lloj hatërmbetjeje. Dihet
se profesioni i lojtarit është sa në një klub në tjetrin, por e them me bindje se nga Tirana nuk pata ikur pa e kthyer kokën mbrapsht. Pikërisht për këtë arsye edhe akordi nuk qe i vështirë për t’u arritur. Nuk dua të flas për çështje financiare, por di t’ju them se do jem lojtar i Tiranës për një sezon dhe
ndihem mjaft i kënaqur që do luaj për këtë skuadër. Siç e dini, unë jam bërë edhe me një fëmijë të dytë dhe e ndieja të nevojshme që të isha sa më pranë familjes”, ka thënë Ahmataj.
Rubio: Pas Ahmatajt nuk dua më lojtarë
Trajneri i Tiranës, Hulain Rubio, pohon se ka në dorë një skuadër shumë të mirë dhe, me afrimin e Julian Ahmatajt, ai mendon se skuadrës nuk i mungon më asgjë. “Nëse ndeshja e Ligës së Europës do të luhej tani, ne mund të kishim fituar. Them kështu se tani po shikoj se lojtarët kanë kapur formën e tyre ndaj, me afrimin e Julian Ahmatajt, mendoj se jemi të kompletuar.
Sigurisht, nëse presidenti Halili do të në bëjë dhuratë ndonjë lojtar shumë
herë më cilësor, atëherë unë nuk do thosha jo”, ka pohuar trajneri. I pyetur nëse realisht ka pasur ndërhyrje që ai të marrë një lojtar apo tjetër, spanjolli e ka mohuar kategorikisht. “Nuk lejoj askënd që të më ndërhyjë
në punën time. Presidenti Halili më ka lënë dorë të lirë në drejtim të ekipit dhe deri tani nuk kam pasur asnjë lloj ndërhyrjeje”.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











