TIRANË- Mbështetje për projektet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, në fusha të ndryshme në vendin tonë ka garantuar kreu i shtetit, Bamir Topi gjatë takimit të sotëm me drejtorin e saj, Jukia Amano.
Gjatë bisedës në Presidencë, Topi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit shumëvjeçar, si dhe partneritetin e suksesshëm midis Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe vendit tonë, bashkëpunim i cili daton që në vitin 1957, kur Shqipëria u bë anëtare e saj, duke përmbushur të gjitha detyrimet dhe duke zbatuar Konventat ndërkombëtare.
Duke nënvizuar kontributin e madh që kjo qendër shkencore e humane po vijon të japë në fushat e sigurimit, sigurisë, çarmatimit, për shëndetin njerëzor, por dhe për bujqësinë, kreu i shtetit, shprehu “mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar edhe për projekte të tjera të Agjensisë në të ardhmen”.
“Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Jukia Amano, vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me vendin tonë dhe përkushtimin e strukturave shtetërore shqiptare, si dhe siguroi Kreun e Shtetit për mbështetjen e organizatës që drejton në të gjitha nismat e projektet e Shqipërisë për përmirësimin e e mëtejshëm të të gjithë sistemit shëndetësor e kërkimeve shkencore”- theksohet në njoftimin e presidencës.
© Panorama.al











