Afrik Zalla: Policia, terror në fshat natën me shoqërime

Jun 14, 2011 | 11:25
Ura e dëmtuar nga shpërthimi

Afrim Zalla, banor i fshatit Zallë pohoi pas ngjarjes se familjarët e tij janë tmerruar nga shpërthimi. Sipas tij, banorët nuk janë nga fshat i tij, pasi ata kanë rregulla të forta deri edhe kanunore ndaj njëri-tjetrit. Pra, nëse dikush vdes nga shpërthimi apo edhe dëmtohet ekonomikisht, atëherë autori është në hasmëri. “Ne nuk i kemi kërkuar dëmshpërblim fabrikës, por ajo na ka dëmshpërblyer vetë, nisur edhe nga ndotja dhe zhurmat që bën. Tashmë, sa herë ndodhin shpërthime, na shoqërojnë në polici. Vjen e të merr policia dhe të akuzojnë se ke vendosur tritol. Nuk dimë ku të shkojmë e ku të rrimë. Nuk e di si policia vjen natën nëpër shtëpi duke na shoqëruar në mënyrë të paligjshme. Katër ditë më parë më morën dhe kam qëndruar në Policinë e Durrësit nga ora 17:00 – 02:00. Edhe mbrëmë erdhi policia në orën 23:00 dhe më kërkoi t’i hapja derën. Iu kërkova urdhrin e Prokurorisë, ndryshe nuk ua hapja derën. Pasi filloi nipi të qante nga frika, hapa derën”, u shpreh Zalla. Sipas tij, një drejtues i policisë ishte futur në banesën e tij dhe i kishte kërkuar që të shkonte me ta, por ai nuk kishte pranuar pa një urdhër të Prokurorisë ose një dokument për shkakun e shoqërimeve të herëpashershme. “Më tha që të shkoj në mëngjes, por nuk kam besim të shkoj, kam frikë se më mbajnë padrejtësisht atje. Policia këtë radhë nuk them se ka përdoruar dhunë, por kontrollet që po ushtrojnë gjatë natës dhe shoqërimet e vazhdueshme që po na bëjnë dhe duke mos na lënë të shkojmë në punë, na kanë dëmtuar psikologjikisht dhe ekonomikisht. Prandaj, i bëj thirrje drejtuesve të Policisë të arrestojnë autorët, dhe jo të gjithë banorët e fshatit Zallë”, u shpreh më tej banori Zalla.          r.n

© Panorama.al

Te lidhura