Një topograf i shpallur në kërkim nga Gjykata e Tiranës me akuzën “shpërdorim detyre”, u arrestua në rrugën “Sali Butka” në kryeqytet, ndërsa Gjykata konfirmoi ndaj tij masën arrest me burg. Dhimitër Papa, me profesion topograf, akuzohet se bashkë me pesë persona të tjerë, zyrtarë të ALUIZNI-t dhe Agjencisë së Kthimit të Pronave të Tiranës, kanë tjetërsuar një pronë në plazhin e Spillesë në Kavajë, duke e zhvendosur në bregdet një truall toke të dhënë si kthim prone, ndryshe nga prona reale që rezultonte të ishte në tokë bujqësore dhe që e tillë i duhej kthyer familjes përfituese. Sipas Policisë, bëhet fjalë për pronat e trashëguara nga i ati dy motrave Fejzilet Spahiu dhe Minella Jenisheri, në Spille të Kavajës, e cila u ishte njohur nga Dervishaj dhe kompensuar në breg të detit në zonën e Vilë- Bashtovës. Fillimisht topografi Dhimitër Papa u arrestua bashkë me 5 zyrtarët e tjerë, mes të cilëve edhe ish-drejtori i AKKP, më datë 11 janar të këtij viti. Gjykata e Tiranës kishte vendosur ndaj zyrtarëve masën e sigurimit në mungesë “arrest me burg”, e cila u ekzekutua nga Policia. Por disa ditë më pas, më 27 janar, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë, duke vendosur arrest shtëpie për 60-vjeçarin Papa. Ndërsa pas rekursit të prokurorit në Gjykatën e Lartë, iu dha të drejtë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe më 25 prill të këtij viti u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”. Prej kësaj date Policia e Tiranës shpalli në kërkim Dhimitër Papën, derisa realizoi arrestimin e tij dy ditë më parë. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, rezulton se Minerva Jenisheri dhe Fejzilete Spahiu me prokurë të posaçme kanë autorizuar avokatin Agim Hoxha për t’i përfaqësuar në identifikimin, njohjen, kthimin e kompensimin e pronave të trashëgimlënëses Neime Jenisheri, e cila ka pasur në pronësi dhe i janë shpronësuar 1650 dynym tokë, në vitin 1946 në zonën e Spillesë të Kavajë. Vlerësimi ligjor paraprak për pronat e familjes Jenisheri është bërë nga topografi Dhimitër Papa. Nga Agjencia janë marrë dy vendime për kthimin e pronës për këtë familje dhe në hartat e pasurisë së kthyer rezultojnë si pasuri “arë” dhe ndodhen në katundin Spille dhe Greth. Këto prona janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Kavajës të identifikuara si pasuri e llojit “Arë”. Pozicionimi i këtyre tokave nga ana e topografit Papa dyshohet se nuk është bërë i saktë, pra mbi këto pasuri, por në pasuri ranishte e duna rëre të ndodhura mes detit dhe tokës bujqësore në fshatin Spille dhe detit e moçalit në Vilë-Bashtovës. Sipas Prokurorisë, kjo ishte shkelje e kryer nga topografi Dhimitër Papa. Nga akti i ekspertimit topografik, Prokuroria ka zbuluar mospërputhje të pozicionimit hartografik të tokës së kthyer të familjes Jenisheri. Shtetasi Dhimitër Papa, me detyrë topograf pranë ZRKKP Tiranë, ka qenë pjesëtar i grupit të punës për veprimet procedurale të shqyrtimit të dosjes që lidhet me kërkesën e subjektit të shpronësuar Neime Jenisheri (trashëgimtarëve të saj). Papa, si dhe anëtarët e tjerë të grupit Altin Ceni, Merita Gjinali, Ali Aliaj dhe Bledar Dervishaj, dyshohet se kanë ndryshuar zërin kadastral të regjimit juridik e fizik të tokës.
ETLEVA DELIA











