
Çështja në gjyq, bashkë me të akuzuarit për dosjen e të dënuarit.
Fier, Teuta Lalaj zbulohet nga përgjimet se strehoi një vajzë që shfrytëzohej për prostitucion.
Përgjimi i kryer pas sherrit me armë mes një grupi të rinjsh në qytetin e Fierit kanë nxjerrë në dritë jo vetëm “aferën” në Gjykatën e Lartë për lirimin e një të dënuari për vrasje, por edhe një grup shfrytëzuesish për prostitucion të një 20-vjeçareje. Prokuroria e Fierit ka arritur të zbardhë gjithë skemën e organizatës dhe i ka përcjellë gjykatës ditët e fundit kërkesën për gjykim ndaj shtatë të pandehurve, ku një prej tyre është Teuta Lalaj, 42 vjeçe, që rezulton të jetë motra e Vilson Mellarajt. Ka qenë pikërisht përgjimi i numrit të saj lidhur me plagosjen e të vëllait, që ka nxjerrë në dritë shfrytëzimin si prostitutë të 20-vjeçares me inicialet E.P. nga qyteti i Vlorës, edhe pse kjo e fundit ka prostituuar me dëshirën e saj. Në kërkesën për gjykim, që tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier, thuhet se gjatë përgjimeve telefonike ka rezultuar se, përveç komunikimeve që lidheshin me plagosjen, janë kryer edhe biseda lidhur me veprime të shtetasve të mësipërm për shfrytëzimin për prostitucion të 20-vjeçares E.P. Në dosjen e Prokurorisë citohet fakti se më datë 13.03.2011, oficerë të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Policisë Fier kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Mikel Ferko në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, teksa ishte duke udhëtuar së bashku me 21-vjeçaren M.Dimo. Nga verifikimi ka rezultuar se e ndaluara ishte 20-vjeçarja me inicialet E.P., e cila ka përdorur pasaportën dhe kartën e identitetit me gjeneralitetet e bashkëshortes së shtetasit Viron Mënaj. E reja ka treguar historinë, duke pranuar se po shkonte me dëshirën e saj në Greqi për të prostituuar. Nga përgjimet ka rezultuar se në periudhën janar-shkurt 2011, vajza është njohur me Viron Mënajn dhe Arben Veizajn në një lokal në Vlorë, me të cilët ka rënë dakord që të ushtronte prostitucion me klientë që do t’i siguronte Vironi. “Ajo ka shpjeguar se Vironi i ka siguruar klientë, kurse Arbeni e ka çuar me makinën e tij në hotele të ndryshme në Vlorë, Orikum e vende të tjera ku kryente marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës. Sipas saj, në fund të muajit shkurt, Vironi i ka “propozuar” E.P.-së të shkonte në Greqi për të prostituuar dhe fitimet t’i ndanin bashkë”, thuhet në kërkesën për gjykim. Ajo e ka pranuar këtë ofertë dhe që prej këtij momenti janë përfshirë të katër të pandehurit e tjerë, Teuta Lalaj, Mikel Ferko, Arben Veizi dhe Martin Osmëni. Mësohet se motra e vëllezërve Mellaraj është përfshirë në këtë çështje, pasi ka strehuar disa ditë 20-vjeçaren në banesën e saj dhe, më tej, i biri ka bërë transportimin e vajzës në duart e Ferkos, para se të niseshin për në Greqi. Ndaj të gjithë personave të mësipërm rëndon akuza e shfrytëzimit të prostitucionit, ndërsa ndaj 20-vjeçares, akuza e falsifikimit të dokumenteve.
Pjesë nga kërkesa për gjykim
Nga analiza e mësipërme rezulton se ekziston dyshimi i bazuar se shtetasit Viron Menaj, Arben Veizaj, Martin Osmëni dhe Mikel Ferko kanë vepruar në marrëveshje me njëri-tjetrin për shfrytëzimin e së dëmtuarës për prostitucion. Këta shtetas kanë siguruar pasaportën dhe kartën e identitetit me emrin Matilda Dimo, kanë strehuar të dëmtuarën në shtëpinë e Teuta Lalajt dhe më pas kanë organizuar nisjen e saj për në Greqi.***
Nga sa më sipër rezulton se janë konsumuar tërësisht elemente të veprës penale: “shfrytëzim i prostitucionit” nëpërmjet shtytjes, ndërmjetësimit ose marrjes se shpërblimit, forma këto të parashikuara në nenin 114 të Kodit Penal, kryer në bashkëpunim prej shtetasve Teuta Lalaj, Martin Osmëni, Arben Veizaj, Viron Menaj e Mikel Ferko, vepër për të cilën këta shtetas janë akuzuar dhe pyetur me cilësinë e të pandehurve.
Vajza e trafikuar, prostituim që 15 vjeçe
Nga deklarimet që ka dhënë vetë 20-vjeçarja E.P. nga Vlora para hetuesve, mësohet se ajo ka pretenduar se është prostituuar që kur ishte 15 vjeçe nga i ati, me të cilin jetonte që e vogël. Ndaj tij ka kryer denoncim në Prokurorinë e Vlorës. Në vitin 2010, ajo ka shkuar të gjejë të ëmën në Fier, por pasi e ka gjetur, është larguar fshehurazi pas dy muajsh nga shtëpia. Për këtë arsye, bashkëjetuesi i së ëmës nuk e ka pranuar më në shtëpi 20-vjeçaren. Prej këtij momenti, ajo u lidh me personat tashmë të arrestuar.
Çështjet e përgjimeve
Zbardhja e përgjimeve telefonike të bisedave mes disa personave për të ndikuar tek një prej gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në mënyrë që të jepnin uljen e dënimit për një të akuzuar për vrasje, çoi në nisjen e hetimit për 3 persona. Prokuroria e Fierit ka dorëzuar në Gjykatë dosjen për Agron Lumeshin, Enard Lushakajn dhe Renato Mellarajin. Veç kësaj dosjeje, një tjetër hetim ka nisur për të mësuar se kush ka dekonspiruar faktin se telefonatat e tyre, si dhe të burgosurit Vilson Mellaraj po përgjoheshin me vendim gjykate.











