Afat 5 ditë për rinovimin, “senatorët”: Mbani Rubion!

May 30, 2012 | 13:14

Çështja e pankinës pritet të marrë zgjidhje brenda kësaj jave. Duket se para ditës së diel trajneri Hulian Rubio do vendosë nëse do të rikthehet në Shqipëri, apo jo. Janë pesë ditë kohë që ai ka kërkuar për të vendosur mbi të ardhmen e tij në krye të bardhebluve. Spanjolli u ka fituar zemrën të gjithëve, duke filluar nga lojtarët, drejtuesit dhe tifozët. Mirëpo, më mirë se ata, aktorët e fushës, askush tjetër nuk e njeh më mirë Rubion. Dhe, janë pikërisht “senatorët” e skuadrës që nuk ngurrojnë të “votojnë” për të. Ata e shprehin hapur dëshirën që ai të qëndrojë, madje nuk ngurrojnë që të japin edhe argumente. Puna e tij njihet tashmë dhe, për këtë arsye, nuk hezitojnë të pranojnë se me të Tirana mund të shkojë larg. Dy trofe të fituar, nga tre të mundshmit janë maksimumi, duke marrë në konsideratë problemet që kanë kaluar bardheblutë. E kësisoj, futbollistë si Elvis Sina, Ilion dhe Gilman Lika, Julian Ahamtaj dhe Bekim Bala e cilësojnë këtë trajner si të duhurin. Ata duan që ta çojnë deri në fund atë që kanë lënë përgjysmë çështjen e titullit kampion. Me përforcimet në merkato, ky synim konsiderohet më shumë se i realizueshëm.

© Panorama.al

Te lidhura