Adriatik Coli në gjyq për dy vrasje

Jul 6, 2012 | 13:41
Adriatik Coli

Adriatik Coli, i penduari i bandës së Durrësit, u paraqit sërish dje si i pandehur në Gjykatën për Krimet e Rënda. Në këtë proces ai është i vetëm, i pashoqëruar nga ish-anëtarët e tjerë të bandës. Edhe këtë herë, Coli u paraqit para trupës gjykuese me statusin e të penduarit dhe bashkëpunëtorit të Drejtësisë. Ai do të gjykohet për akuzat e reja të ngritura ndaj tij, atë të “vrasjes” dhe të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” në dëm të Enver Petkut dhe Ali Kërtushës. Sipas Prokurorisë, këto vepra janë konsumuar në dy episode kriminale të regjistruara në periudhën korrik-shtator 2000 në qytetin e Durrësit. Dje Coli u shfaq në kafazin e sallës së gjyqit dhe jo në cepin e tij të zakonshëm, ku rrinte gjatë gjykimit të bandës. Ai u shpreh para gjykatës se nuk i duhej avokat, pasi i kishte pranuar vrasjet. “Nuk dua avokat, se unë vrasjet i kam pranuar. Iu qëndroj atyre që kam thënë”, u shpreh Coli para trupës gjykuese. Nga ana e saj, Gjykata caktoi një avokat kryesisht dhe e shtyu seancën për t’i dhënë atij kohë të njihej me dosjen. Procesi i ri gjyqësor ndaj Adriatik Colit ka në themel episodet kriminale të rrëfyera nga ai vetë në Prokurori gjatë deklarimeve të tij mbi “bëmat” e bandës së Durrësit. Për shkak të kohës që i është dashur për zbardhjen e ngjarjeve dhe faktit se nën hetim janë edhe dy ish-anëtarë të tjerë të bandës, dosja në ngarkim të Colit u dërgua veçmas në Gjykatë. Kështu, Coli do të gjykohet për rrëmbimin dhe mbajtjen peng dhe torturimin për dy ditë rresht të Enver Petkut, para se ai të ekzekutohej dhe të hidhej në një kanal. Sipas Prokurorisë, vrasja e Petkut ka ardhur pas ndarjes së bandës në dy fraksione. Qëndrimi i tij në të njëjtin vend ku kalonin pjesëtarët e njërit fraksion ngriti dyshime se ai ishte porositur nga “rivalët” për t’u survejuar lëvizjet. Njëkohësisht ai do të gjykohet edhe për ekzekutimin e Ali Kërtushës, ku sipas Prokurorisë, Coli ka qenë në rolin e ekzekutorit. Referuar hetimeve, Kërtusha ishte eliminuar pas dyshimeve se ai po furnizonte me armatime grupin rival të bandës së Durrësit, që drejtohej nga Marsel Sotira. Më 2 korrik, Apeli për Krimet e Rënda la në fuqi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë për 16 të pandehurit e bandës së Durrësit me katër burgime të përjetshme dhe një total prej 245 vitesh burg.

I penduari, 10 vjet burg me bandën
TIRANE – Pendesa e Adriatik Colit u kushtoi rëndë të bashkëpandehurve të tij në procesin ndaj bandës së Durrësit te Krimet e Rënda. Deklarimet e dhëna prej tij në Prokurori dhe dëshmia në Gjykatë ishin prova “kyçe” e Prokurorisë në faktimin e veprave kriminale të bandës. Por, në një kohë që të bashkëpandehurit “u fundosën” në dënime të rënda, vetë Coli përfitoi lehtësirat e statusit të tij, duke “ia hedhur lehtë” dënimit. Në përfundim të gjykimit në Shkallën e Parë, Coli u dënua me burgim të përjetshëm. Për shkak të statusit të të penduarit dhe bashkëpunëtorit të Drejtësisë, ai u dënua përfundimisht me vetëm 10 vjet heqje lirie.

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura