Adoleshenti i vë gjobë pronares së lokalit të basteve në Tiranë

Feb 16, 2012 | 12:35
Gjykata e Krimeve të Rënda

TIRANE – Paratë e humbura me skedina në një lokal bastesh sportive në lagjen “Don Bosko”, një adoleshent ka tentuar t’i kompensojë duke i vënë gjobë pronares së lokalit me anë të kërcënimeve. Nëpërmjet një letre të formuluar në shenjë presioni, ai i ka kërkuar biznesmenes 45-vjeçare me iniciale L. C. 400 mijë lekë të rinj. Në të kundërt, siç shkruante adoleshenti në letër, në rast se ajo bisedonte me policinë, atëherë ai do ta “zhdukte”. “Presioni” i adoleshentit ndaj pronares së lokalit ka zgjatur vetëm 24 orë, pasi policia ka mundur ta arrestojë në flagrancë adoleshentin gjobëvënes, në momentin kur ai po merrte çantën me “para”, që në fakt brenda kishte vetëm letra. I arrestuari me akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie” është 17-vjeçari F. Hasa, me origjinë nga Kukësi dhe banues në Tiranë. Burimet sqaruan se pas arrestimit, gjatë procesit të marrjes në pyetje, adoleshenti ka shfaqur pendesë për veprimin e kryer. Nisur nga kjo rrethanë, por edhe për shkak të moshës, prokurorja e Krimeve të Rënda, që po përgatit dosjen për masën e sigurisë, nuk përjashton mundësinë për të kërkuar një masë më të lehtë sigurie në gjykatë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ngjarja për të cilën akuzohet 17-vjeçari Hasa ka nisur mëngjesin e së martës, në lokalin e basteve sportive në lagjen “Don Bosko” në Tiranë, që ai e frekuentonte rregullisht. Pasi kishte humbur shumë para duke vendosur skedina në atë lokal, adoleshenti ka menduar si zgjidhje për të rifituar paratë të shkruajë një letër, në të cilën i vinte gjobë pronares. Ai ka lënë letrën mbi tavolinë dhe është larguar. “Nesër në orën 08:00, në një çantë duhet të fusësh 4 milionë lekë (të vjetër) dhe t’i lësh para xhamisë në Don Bosko. E kupton vetë që këtë muhabet nuk duhet ta marrë vesh askush. Po fole me policinë, të zhduka…”. Ky është teksti i letrës kërcënuese të adoleshentit. Në fakt, menjëherë pasi ka lexuar letrën, pronarja e lokalit ka njoftuar policinë. Pasi kanë verifikuar letrën, forcat e Krimeve të Rënda të Tiranës, dje, në orën e “dorëzimit” të çantës, rrethuan xhaminë ku do të bëhej shkëmbimi dhe arritën të arrestojnë në flagrancë adoleshentin gjobëvënës. Pas ndalimit, ai e ka pranuar ngjarjen dhe ka shprehur pendesë të thellë. Burimet nga Prokuroria kanë thënë se situata e adoleshentit do të vlerësohet për ndjekje penale në një masë të përshtatshme, duke qenë se i akuzuari është në një moshë që konsiderohet ende si i mitur.

© Panorama.al

Te lidhura