Admir Teli: Edin Xheko? Dimë si ta ndalim

Jun 1, 2011 | 11:16

Admir Teli i ka të qarta idetë se si mund të ndalet Edin Xheko me shokë në stadiumin e zjarrtë të Zenicës. Mbrojtësi shkodran, që luan në Azerbajxhan me Karabakun, analizon gjendjen e Kombëtares, para sfidës me boshnjakët dhe shpreson shumë që Rumania ta lodhë maksimalisht Bosnjën. Futbollisti 30-vjeçar nuk i trembet konkurrencës me Currin, por fton të gjithë skuadrën që të luftojë njësoj si me Bjellorusinë.
Janë rikthyer Dallku e Curri. Pavarësisht se Kuzhe ju ka lavdëruar ju dhe Canën, a mendoni se rrezikoni vendin në formacion?
Ajo që ka më shumë rëndësi, është që Kombëtarja ndeshjen e fundit zhvilloi një takim të jashtëzakonshëm. Kemi krijuar një imazh pozitiv, jo vetëm për fitoren e arritur kundër Bjellorusisë, por edhe për lojën e skuadrës. Duhet ta ruajmë këtë ecuri, duhet të luajmë me të njëjtin ritëm, të vazhdojmë kështu. Për një skuadër si Shqipëria, i rëndësishëm është grupi, pasi ne nuk jemi ndërtuar në bazë individi. Të gjithë jemi këtu për të luajtur, jemi 23 veta për të luajtur.
A mendoni se problemet e fundit që ka pasur Bosnja me pezullimin dhe konfliktet me FIFA-n mund të kenë ndikuar edhe në skuadër?
Mbase nuk kanë ndikuar në atë masë që shpresojmë ne, pra në atë shkallë sa të çorientojnë skuadrën, por gjithsesi, ato janë probleme që nuk mund të mos kenë ndikuar. Përveç kësaj, duhet të theksojmë se ata kanë edhe një ndeshje me Rumaninë që do të jetë po aq e rëndësishme për ta, por njëkohësisht edhe e lodhshme.
Ju mendoni se ky është plus për ne?
Po, sigurisht që po. Ne shpresojmë se do të bëjmë diferencën në aspektin fizik.
Si është gjendja e lojtarëve momentalisht?
Disi e vështirë, sepse kampionatet kanë mbaruar. Por kjo vlen edhe për kundërshtarët, pra edhe ata nuk janë në gjendjen e tyre optimale.
A e keni idenë se mund të mbahen Xheko dhe Ibiseviç?
Sulmuesit kanë të bëjnë përherë me mbrojtësit, por nuk duhet të harrojmë se ne jemi një ekip që mbrojmë të gjithë e sulmojmë të gjithë. Nëse do të luajmë të organizuar dhe nëse të gjithë do të bëjnë punën, nuk besoj se do të na bjerë e gjithë barra mua dhe Canës për të ndalur yjet e Bosnjës.
Zenica është një stadium shumë i vështirë….
Kam pasur fatin të luaj në stadiume të forta. Lojtari mobilizohet kur luan në stadium të mbushur. Jam nga ata lojtarë që më pëlqen të luaj në atmosferë të tillë.

© Panorama.al

Te lidhura