DAP dhe SIGMA propozojnë ligj të ri për statusin e nëpunësit civil.
“Anëtarët e KSHC do të kenë mandat 5-vjeçar, u hiqet imuniteti”
Parlamenti do të marrë në shqyrtim një propozim të Departamentit të Administratës Publike, që në bashkëpunim me SIGMA-n (program mbështetjeje në përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit), kanë hartuar ligjin e ri për statusin e nëpunësit civil.
Drafti përmban 69 nene dhe nëse miratohet me shumicë të cilësuar, hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Për herë të parë punonjësit e shërbimit civil mund të marrin pjesë në fushatat elektorale të partive politike, por vetëm pasi të kenë kërkuar pezullimin nga shërbimi. “Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike, përveçse gjatë ushtrimit të detyrës apo në kohën e punës. Sidoqoftë, nëpunësi civil duhet të përmbahet nga shprehja publike e bindjeve apo preferencave të tij politike. Në rastet e pjesëmarrjes në fushatë elektorale, nëpunësi duhet të kërkojë pezullimin nga shërbimi civil”, thuhet në pikën 1 të nenit 31 të këtij drafti. Në nenin e titulluar “Të drejtat politike” thuhet gjithashtu se “nëpunësi civil ka të drejtë të jetë anëtar i partive politike, përfshirë edhe anëtar themelues i tyre, por nuk mund të jetë anëtar i organeve drejtuese të tyre. Përveç sa parashikohet ndryshe në këtë ligj, nëpunësi civil ka të drejtën të kandidojë dhe zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë apo për organet e qeverisjes vendore. Në këtë rast, nëpunësi detyrohet të kërkojë pezullimin nga detyra”. Nëse ligji merr edhe konsensusin e opozitës, anëtarët e KSHC-së do të kenë mandat pesëvjeçar, nga 7.5 vjet që e kanë tani, dhe nuk do të gëzojnë imunitet të barasvlershëm me atë të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në të njëjtën kohë, KSHC do të raportojë në Kuvend çdo vit dhe sa herë ai ta kërkojë. Në propozimet e ligjit të ri thuhet se punësimi në shërbimin civil nuk duhet të jetë në bazë të kontratave të përkohshme. “Punësimi në pozicionet e shërbimit civil duhet të jetë i pranueshëm vetëm me individë me statusin e nëpunësit civil, dhe jo në bazë kontraktuale. Në parim, nëpunësit civilë duhet të jenë të punësuar për një periudhë të pacaktuar (përhershëm); punësimi me afat të caktuar duhet të kufizohet në raste të veçanta të jashtëzakonshme, të cilat duhet të përcaktohen në parim në legjislacion”, thuhet në draftin e ekspertëve. Një risi tjetër e ligjit është ngritja e një trupe për shërbimin civil. “Rekrutimi në këtë trupë duhet të bëhet nëpërmjet një konkursi kombëtar, përpara një komisioni kombëtar të përbërë nga individë me reputacion që ndërrohen sipas një sistemi rotacioni të alternuar (p.sh., anëtarët rinovohen në mënyrë të pjesshme çdo vit). Përzgjedhja në nivelin e drejtuesve të lartë do të jetë, si rregull, e hapur vetëm për nëpunësit civilë”. Vlerësimi i kandidatëve do të përfshijë një testim me shkrim dhe një intervistë. Testimi me shkrim duhet të këtë më shumë peshë se intervista dhe duhet të vlerësohet duke siguruar anonimitetin. Përsa i përket procedimit disiplinor, theksohet se “fillimi i procedurës disiplinore duhet të jetë një detyrim zyrtar për eprorët e drejtpërdrejtë; katalogu i sanksioneve disiplinore duhet të jetë i përmirësuar dhe i zgjeruar në mënyrë që të mundësojë proporcionalitetin midis shkeljes disiplinore dhe sanksioneve përkatëse; vendimi disiplinor duhet të jetë përgjegjësi e një komisioni disiplinor kolegjial, ku DAP është i përfaqësuar”.
Propozimi i DAP për administratën
Periudha e provës 1 vit, më pas vlerësimi i eprorit
Departamenti i Administratës Publike propozon që nëpunësi që emërohet për herë të parë në shërbimin civil t’i nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit nga data e emërimit. “Gjatë periudhës së provës, nëpunësi kryen veprimtaritë e detyrueshme të trajnimit dhe kryen detyrat nën kujdesin e një nëpunësi të vjetër civil të së njëjtës kategori, ose kategorie më të lartë. Në fund të periudhës së provës, institucioni ku nëpunësi është i emëruar, vendos: konfirmimin e nëpunësit; zgjatjen e periudhës së provës një herë të vetme, deri në 6 muaj të tjerë, nëse për arsye të justifikuara ka qenë i pamundur vlerësimi i plotë i nëpunësit; moskonfirmimin e nëpunësit”, thuhet në nenin 23 të draftit të paraqitur.
Konkursi kombëtar i pranimeve
“Rekrutimi në këtë trupë duhet të bëhet nëpërmjet një konkursi kombëtar, përpara një komisioni kombëtar, të përbërë nga individë me reputacion që ndërrohen sipas një sistemi rotacioni të alternuar (p.sh. anëtarët rinovohen në mënyrë të pjesshme çdo vit). Përzgjedhja në nivelin e drejtuesve të lartë do të jetë, si rregull, e hapur vetëm për nëpunësit civilë”, thuhet në relacionin e projektligjit.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











