Administrata, 172 të shkarkuar në 2011

Feb 28, 2012 | 11:55

Anëtarët e Komisionit të Shërbimit Civil

Raporti i Komisionit të Shërbimit Civil në Kuvend: Gjatë vitit 2011 bashkitë rritën numrin e punonjësve.

KSHC: Më shumë nëpunës me kontratë, Ministria e Mbrojtjes në krye.

Viti 2011 ka shënuar një rritje të shkarkimeve të punonjësve që mbrohen nga ligji i shërbimit civil. Në raportin vjetor të Komisionit të Shërbimit Civil për vitin e shkuar vërehet se janë dëbuar nga puna rreth 172 punonjës nga administrata publike. Nga këta qytetarë, rreth 124 punonjës janë larguar nga institucionet, edhe pse gëzonin statusin e nëpunësit civil. Nga këto largime, rreth 35 raste janë larguar me vërejtje dhe paralajmërim, ndërsa vetëm 13 prej tyre gjatë vitit 2011 janë ulur në detyrë. Pranë Komisionit të Shërbimit Civili, që është dhe “avokati” mbrojtës i nëpunësve për vitin 2011, janë regjistruar 261 ankesa. Nga të cilat, vetëm 92 raste janë pranuar dhe punonjësit janë rikthyer në detyrë prej të cilës janë larguar padrejtësisht. Në 29 raste është vendosur pranimi i pjesshëm i ankesës dhe në 62 raste është vendosur rrëzimi i ankesës. Në vitin 2010, Komisioni i Shërbimit Civil ka shënuar 94 raste të shkarkimit të punonjësve që gëzonin statusin e nëpunësit civil. Në krahasim me vitin 2010, viti që lamë pas shënoi një rritje të dëbimeve nga puna, rreth 78 raste më shumë.
Emërimet me kontratë
Komisioni i Shërbimit Civil, në raportin e tij vërën me keqardhje se janë shtuar emërimet me kontratë në administratën publike, çka sipas KSHC-së përbën një shkelje të rëndë ligjore. “Gjatë procesit të mbikëqyrjes në institucionet qendrore, janë konstatuar 228 pozicione pune që bëjnë pjesë në shërbimin civil, të plotësuara nëpërmjet emërimeve me kontratë, të cilat duke i specifikuar sipas institucioneve të kontrolluara, janë të shpërndara në këtë mënyrë: 55 pozicione pune në Ministrinë e Mbrojtjes, 26 pozicione pune në Ministrinë e Drejtësisë, 17 pozicione pune në Ministrinë e Mjedisit, 10 pozicione pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme, 5 pozicione pune në Ministrinë e Financave, 8 pozicione pune në MPÇSSHB, 10 pozicione pune në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, 1 pozicion pune në Ministrinë e Integrimit, 1 pozicion pune në Ministrinë e Shëndetësisë dhe 95 pozicione pune në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”, thuhet në raportin e Komisionit të Shërbimit Civil.
Niveli vendor
Zgjedhjet e 8 majit janë shoqëruar edhe me shtimin e numrit të punonjësve në bashkitë dhe komunat e vendit. Në total, sipas raportit të KSHC-së, rezulton se nga rreth 644 rekrutime në punë, rreth 55 % e tyre janë bërë me kontratë, në kundërshtim me ligjin. “Në këto institucione, gjatë këtij viti u kontrollua zbatimi i procedurave të rekrutimit për 644 pozicione pune që përfshihen në shërbimin civil, nga të cilat rezulton se në 369 raste, të cilat përbëjnë rreth 55% të gjithë pozicioneve të punës në shërbimin civil të kontrolluara, këto pozicione janë plotësuar në kundërshtim me ligjin, pasi është përdorur si mjet ligjor për të lidhur marrëdhënien e punës kontrata e përkohshme sipas Kodit të Punës”, evidenton raporti i KSHC-së. Nga bashkitë, me numërin më të lartë të punonjësve me kontratë kryeson Bashkia e Kamzës, me 74 punonjës, Bashkia e Lushnjës me 48 punonjës dhe Bashkia e Fierit me 35 punonjës të emëruar me kontratë.

Raporti i KShC

Paditë për vendimet e KSHC
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vitin 2011 janë regjistruar 19 padi, të cilat kundërshtojnë vendimet e Komisionit të Shërbimit Civil, pasi ankuesit nuk kishin gjetur të drejtën nga vendimet e dhëna. Nga këto padi, sipas raportit të KSHC-së, Gjykata ka pranuar vetëm 6 dhe ka vendosur prishjen e vendimit të Komisionit të Shërbimit Civil. Në Gjykatën e Apelit në Tiranë janë shqyrtuar rreth 26 çështje të KSHC-së, nga të cilat 25 janë lënë në fuqi dhe vetëm një është rrëzuar.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura