ACR ka bërë publik një draft memorandum mirëkuptimi, të cilin ua ka dërguar dhe minatorëve ku neni katër i këtij drafti duket se plotëson të gjitha kërkesat e minatorëve grevistë.
Neni 4 i draftit ka të bëjë me të drejtat e minatorëve dhe detyrimet e kompanisë. Në të thuhet se ACR pajtohet për të përmbushur kërkesën për rritjen e pagës me 20% duke filluar nga data e nënshkrimit të këtij memorandumi.
“Pajtohet për të bërë transparent të gjitha investimet, për të përmirësuar kushtet e punës, duke përfshirë sigurinë me të gjitha standartet si dhe regulloren e sigurimit teknik për sigurinë në punë. ACR pajtohet që të sigurojë të gjithë ndihmën për sindikatën e re që do të krijohet pas nënshkrimit të këtij memorandumi”- thuhet më tej në draftin e mirëkuptimit.
Më tej në dokumentin e kompanisë koncesionare ACR thuhet se të gjithë punonjësit duhet të marrin përsipër që menjëherë të rinisin punën dhe të lirojnë të gjitha ambjentet e minierës.
Pak ditë më parë gjatë një takimi të përfaqësuesit të ACR-së, Giga Bedineishvilli me një përfaqësi të minatorëve, tha se kompani është duke përgatitur një draft mirëkuptimi me minatorët.
© Panorama.al











