
Kompania ACR është dorëzuar përballë kërkesave të minatorëve të saj, duke deklaruar se është e gatshme të ulet për të diskutuar rreth kërkesave, në momentin e parë që do të braktiset rruga e protestës. Përfaqësuesi i kompanisë, Xhorxh Bedineishvili, gjatë një konference për shtyp mesditën e djeshme, u shpreh se kompania që ka një marrëveshje koncesionare të shfrytëzimit të minierës së Bulqizës do të ulet të diskutojë me përfaqësuesit e minatorëve për kërkesat e tyre, edhe pse fillimisht theksoi se marrëdhënia me minatorët është përcaktuar me një kontratë kolektive që skadon në 2013-n. “Që të mos keqkuptohemi, nuk po them që çdo gjë që është e fiksuar në kontratën kolektive apo në kontratën e koncesionarit nuk mund të rishikohet. Diferenca është që ne jemi të hapur të rishikojmë e ridiskutojmë këto kushte dhe të rivendosen. Ne do t’i përgjigjemi çdo çështjeje që ka të bëjë me punën e marrëdhëniet në punë dhe unë jam i gatshëm që, nëse greva përfundon, të ulem që nesër madje do më pëlqente të ulesha me përfaqësuesit e vërtetë të punonjësve në Bulqizë dhe jo me ndërhyrjet nga Tirana”, tha përfaqësuesi i ACR. Me këtë deklaratë ai dha sinjalin pro diskutimit të kërkesave të minatorëve për rritje pagash dhe rishikim të kushteve në të cilat punohet. Konferenca e djeshme është zhvilluar në kushte të larta sigurie, meqenëse në bulevardin përballë u grumbulluan minatorët duke protestuar. Objekti ku u zhvillua konferenca u blindua totalisht me “security”, për të evituar përplasjet e minatorëve me përfaqësues të ACR, por situata gjithsesi mbeti e tendosur. Në momentin e përfundimit të konferencës, përfaqësues të ACR-së u përballën me minatorët, ku për shkak të acarimit të këtyre të fundit, u detyruan që të tërhiqen deri në momentin e qetësimit të situatës. Minatorët e Bulqizës po vazhdojnë prej ditësh protestën e tyre, duke kërkuar rritje të pagave me 20 për qind, si dhe përmirësimin e kushteve të punës, kushte teknike dhe sociale. Lidhur me këtë çështje, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ngriti edhe një grup pune për të shqyrtuar situatën, ndërkohë që në ditët në vijim pritet të shihet edhe zgjidhja që do t’i jepet nga minatorët kësaj situate, nëse do të vijojnë me protestën apo do të ulen të diskutojnë me kompaninë.











