Abuzuan me tokat, tre ish-zyrtarë në hetim

Jun 25, 2011 | 12:36

LUSHNJE – Dhanë në mënyrë të paligjshme rreth 1923 metra katrorë tokë në vitet 2003-2007, tre ish- zyrtarë në hetim. Burime të Policisë së Fierit bënë të ditur se tre ish-drejtues të komunës së Kolonjës në Lushnjë po hetohen në gjendje të lirë për abuzim, falsifikim dhe korrupsion me tokën bujqësore. Tre ish-zyrtarët akuzohen se kanë abuzuar me Ligjin Nr. 7501 “Për ndarjen e tokës bujqësore”, duke falsifikuar dokumentet dhe ndarë tokë në mënyrë korruptive te bashkëfshatarët. “Sabri Asanbejlli, 49 vjeç, banues në fshatin Bitaj, ish-kryetar i komisionit të ndarjes së tokës dhe ish-kryetar i komunës gjatë viteve 2003-2007; Medi Pallozhani, 55 vjeç, banues në fshatin Rrapëz të komunës Kolonjë, ish-kryetar i komisionit të ndarjes së tokës dhe kryetar i fshatit Rrapëz deri në vitin 2007; si dhe Sotir Lena, 50 vjeç, banues në fshatin Bishtqethëm, me detyrë ish-përgjegjës i zyrës së menaxhimit të tokës pranë kësaj komune, janë personat që po hetohen”, bënë të ditur burime të Policisë. Të njëjtat burime shtuan se është dokumentuar çdo falsifikim dhe dhënie e jashtëligjshme e një sipërfaqeje toke rreth 1923 m2 në fshatin Rrapëz të komunës Kolonjë. Mbi tre ish-drejtuesit e komunës, sipas Policisë, rëndojnë tashmë akuzat “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim i dokumenteve, i kryer në bashkëpunim”, pasi kanë abuzuar gjatë kohës që kanë ushtruar detyrat funksionale duke ndarë tokën në kundërshtim me Ligjin Nr. 7501.                                      m.r

© Panorama.al

Te lidhura