Abuzimet me çmimet, Bashkia kontrollon tregjet

Aug 26, 2011 | 18:45

TIRANE- Bashkia e Tiranës ka evidentuar sot dhjetra raste të abuzimeve me çmimet në tregjet e kryeqytetit.

Gjatë një verifikimi, Bashkia ka konstatuar një diferencë mes çmimeve të shpallura për artikuj dhe shërbime, krahasuar me çmimet që faktikisht u ngarkohen në fatura qytetarëve të Tiranës.

Pas kësaj, nëse subjektet e evidentuara si abuzues nuk do të bëjnë rakordimin e çmimeve ata do të përballen me sanksione të parashikuara në ligj.

Gjatë këtij verifikimi, Bashkia ka konstatuar edhe prani të lëndëve të rrezikshme në tregjet e kryeqytetit.

Për pasojë, janë konstatuar rreth 20 subjekte të cilët tregtojnë bombola gazi, perkrah artikujve të tjerë ushqimorë dhe jo ushqimore, nga të cilët vetëm 3 kanë autorizimin përkatës.

Gjithashtu, Bashkia ka evidentuar 24 subjekte kryesisht tregtare ambulante, të cilët tregetojnë pesticide dhe helme në vende të hapura, të pasigurta dhe jashtë kontrollit.

1 shtatori është afati i fundit për këto subjekte për tu larguar nga këto vende ose për të marrë autorizimin e përkatës.

© Panorama.al

Te lidhura