Abuzimet, bllokohen 6 galeri kromi në minierat e Bulqizës

Jun 26, 2011 | 11:22

BULQIZE – Drejtoria e Policisë Qarkut Dibër bën të njohura rezultatet e kontrolleve të ushtruara në galeritë e kromit, në rrethin e Bulqizës. Zyrtarë të saj pohuan se janë bllokuar nga policia e shtetit, sigurimet shoqërore, tatim-taksat dhe ekspertë të kontrollit teknik të minierave 6 galeri kromi dhe 500 tonë mineral që ndodhej në afërsi të tyre. Burime të sigurta informacioni pohojnë se nga kontrolli i Zonës D janë bllokuar galeritë numër 42, 49, 66, 58 dhe 58/1, 58/2 të gjitha brenda territorit të kontrolluar nga kompania austriake “Albanian Chrome ACR”. Efektivët e policisë dhe zyrtarët e institucioneve të tjera kanë verifikuar me imtësi gjithë dokumentacionin ligjor të subjekteve private, duke gjetur shkelje të rënda që kanë të bëjnë me lejen e shfrytëzimit minerar, sigurimin e kushteve teknike nëntokë, sigurimin e punëtorëve të marrë në punë, shlyerjen e detyrimeve fiskale, etj. Mësohet gjithashtu se janë bllokuar edhe 500 tonë krom të ndodhur pranë këtyre galerive, i cili mendohet se nuk u përket këtyre subjekteve por është siguruar në rrugë të dyshimta. Kontrollet vazhdojnë dhe do të shtrihen edhe në zona të tjera krommbajtëse si Tërnovë dhe Martanesh, pasi edhe atje ka të dhëna se subjektet e licensuara ose jo kanë abuzuar. Janë ushtruar kontrolle të rrepta edhe për mjetet që merren me transportin e kromit nga Bulqiza në Portin e Durrësit, pasi ka raste kur abuzohet edhe në këtë drejtim. Kontrollet në galeritë private të kromit po vijojnë prej disa ditësh dhe thuhet se do të vazhdojnë derisa t’u vihet fre shkeljeve ligjore dhe të sigurohet jeta e shëndeti i minatorëve që punojnë në këto galeri të rrezikshme.                           h.p

© Panorama.al

Te lidhura