Abuzime me tenderët e medikamenteve, arrestohet drejtori dhe dy punonjës të qendrës shëndetësore të Selenicës në Vlorë. Denoncimi i bërë nga njëri prej personave pretendues për fitimin e njërit prej tenderëve ka bërë që policia të hetojë dhe të zbulojë falsifikimin e dokumenteve. Pikërisht me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim”, “shkeljes së barazisë në tenderë dhe ankande publike”, si dhe “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, u zhvillua operacioni i koduar “Medical-1” nga sektori i antikrimit ekonomik në Policinë e Vlorës, në bashkëpunim me Njësinë Task-Force pranë Prokurorisë së rrethit. Në pranga u vu drejtori i qendrës shëndetësore Armen, komuna Selenicë, Edmond Bala, 59 vjeç, me profesion mjek; ekonomistja e qendrës shëndetësore të Selenicës, Brunilda Nuredinaj, 31 vjeçe, si dhe 46-vjeçari Pëllumb Musarai, me detyrë shofer në qendrën shëndetësore të Selenicës. Mësohet se operacioni “Medical-1” ka filluar në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, si dhe denoncimit të bërë nga një person që ka marrë pjesë në tenderët e zhvilluar për blerjen e medikamenteve dhe furnizimin me to të qendrave shëndetësore të Selenicës dhe Armenit të komunës së Selenicës. Sipas Policisë, mjeku dhe ekonomistja, si anëtarë të komisionit të tenderimit të ilaçeve, kanë ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në procedurat e tenderimeve dhe kanë favorizuar persona të tjerë për fitimin e tyre, duke falsifikuar dokumentet e tenderëve, me qëllim të përfitimit personal. Ndërsa shoferi Musarai akuzohet se ka bashkëpunuar duke kryer rolin e ndërmjetësit. Grupi hetimor, pas arrestimeve të kryera mbrëmjen e së mërkurës, po punon për zbardhjen dhe përcaktimin e vlerës monetare që kanë përfituar këta tre shtetas duke falsifikuar dokumentet e tenderëve të medikamenteve për një kohë më shumë se 2-vjeçare. Grupi hetimor ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm të dokumenteve të zhvillimit të tenderëve në këto qendra shëndetësore.
Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor – Vlorë për veprat penale “shkelje e barazisë në tenderë dhe ankande publike”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim i dokumenteve, e kryer në bashkëpunim”, me qëllim përfitimin nga personat e favorizuar në këta tenderë. Nuk bëhet i ditur deklarimi i të arrestuarve për këtë çështje, ndërsa nga ana e Prokurorisë së Vlorës bëhet e ditur se në bazë të dokumenteve të sekuestruara, do të kërkohet dhe masa e sigurisë në gjykatë për ta.
Të arrestuarit
Edmond Bala,
lindur e banues në Vlorë, me profesionin mjek, me detyrë drejtor i qendrës shëndetësore ArmenPëllumb Musarai,
lindur e banues në Vlorë, me detyrë punonjës i qendrës shëndetësore në SelenicëBesiana Nuredinaj,
lindur në Vlorë e banuese në Tiranë, me detyrë ekonomiste pranë qendrës shëndetësore në Selenicë
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











