Abuzim seksual me 3 fëmijë, gjyq amerikanit në Tiranë

May 3, 2012 | 15:16

Pedofili amerikan Carl Stephan Kaminski

Carl Stephan Kaminski, 70 vjeç, akuzohet në mungesë, kërkohet ekstradimi.

Prokuroria: Një nga fëmijët pësoi traumë psikike nga përdhunimi.

Një shtetas amerikan i akuzuar për abuzim seksual me të paktën tre fëmijë shqiptarë pritet të gjykohet në Gjykatën e Tiranës për pedofili.
Skandali “i radhës”, pas atij të shtatë viteve më parë, ku tre të huaj abuzonin me të miturit e pastrehë të qendrës “Fëmijët e tij”, i përket një shtetasi amerikan 70-vjeçar me precedentë abuzimi seksual me të miturit edhe jashtë vendit tonë. Lajmi u bë i ditur mbrëmë nga Top Channel. Burime pranë Prokurorisë së kryeqytetit bënë të ditur se bëhet fjalë për amerikanin Carl Stephan Kaminski, 70 vjeç, i prezantuar në Shqipëri me emrin e rremë David Gerard Golderstein. Organi i akuzës është në përfundim të hetimeve ndaj tij, pas dyshimeve se ai ka abuzuar seksualisht me pasoja të rënda ndaj tre fëmijëve shqiptarë të seksit mashkull në periudhën 2003-2006. Ai pritet të gjykohet në mungesë në Gjykatën e Tiranës pasi aktualisht është duke kryer një dënim me burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një akuzë tjetër penale. Përpos këtij fakti, burime pranë Prokurorisë sqaruan se autoritetet shqiptare u kanë kërkuar homologëve amerikanë ekstradimin e të dyshuarit Kaminski në Shqipëri.
ABUZIMI
Historia e abuzimeve për të cilat dyshohet amerikani Kamiski me të miturit shqiptarë zë fill në vitin 2003, kur ai ka mbërritur si turist në vendin tonë. Gjatë qëndrimit të tij disavjeçar në Shqipëri, Kaminski kryesisht ka qëndruar në një banesë të marrë me qira në qytetin e Durrësit, ku dyshohet të jenë bërë edhe abuzimet me tre djemtë e mitur. Sipas Prokurorisë, njëri prej të miturve të abuzuar është duke u kuruar për shkak të problemeve të rënda psikike të krijuara nga trauma e abuzimit. Hetimet kanë gjetur se, veç abuzimit fizik, Kaminksi edhe i ka fotografuar të miturit të zhveshur, duke u premtuar se do t’i fshinte fotot. Rezulton se ai është larguar nga Shqipëria në kohën që u publikua lajmi i skandalit seksual të pedofilisë në qendrën “Fëmijët e tij” në kryeqytet ndaj britanikëve David Broun, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold. Organi shqiptar i akuzës është vënë në dijeni të të dyshuarit për pedofili në nëntor të vitit të kaluar nga ana e autoriteteve amerikane. Me herët ai është arrestuar në Gjermani, pasi udhëtonte me një pasaportë belge të falsifikuar. Për këtë shkak ai është dënuar me një vit e katër muaj burg. Në vijim Kaminski është ekstraduar në SHBA, pasi kërkohej në këtë vend për akuza që kishin të bënin me abuzimin e të miturve. Gjatë hetimeve ndaj tij, ekspertët kanë zbuluar në kompjuterin e tij materiale pornografike me të miturit shqiptarë. Pas evidentimit të këtij fakti, autoritetet amerikane kanë vënë në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë. Në vijim, Prokuroria e Tiranës, mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, regjistroi procedimin penal nr. 3358, viti 2011, për veprën penale “marrëdhënie seksuale me të mitur më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda”. Burime të organit të akuzës bënë të ditur se u janë bërë letër-porosi autoriteteve amerikane për marrjen në pyetje të të pandehurit për ngjarjen, si edhe është kërkuar ekstradimi i tij në vendin tonë.

© Panorama.al

Te lidhura