“Ndryshimet kushtetuese, jo me konsensus PD-PS”

Aug 2, 2011 | 10:29

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, dënon ndryshimet e bëra në 2008-n, pas një konsensusi të fshehtë PD-PS. Ai evidenton dëmet që kanë pësuar institucionet e pavarura të vendit, Presidenti, KLD-ja, Gjykata Kushtetuese, ajo e Lartë etj.

Abdiu propozon një debat disavjeçar me aktorë politikë dhe të jurisprudencës por dhe certifikimin e Komisionit të Venecias. Kreu i PS, zoti Rama, është shprehur për gabime të bëra me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 sa i takon prishjes së balancave mes pushteteve. Sipas konceptit tuaj, jemi në kohën e duhur për ndërhyrje në Kushtetutë? Personalisht mendoj se për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhen evidentuar disa momente shumë të rëndësishme që do të mund të na lejojnë të shpreh mendimin tim përfundimtar rreth kësaj. Së pari, mendoj se është shumë e rëndësishme të theksohet fakti se Kushtetuta e Shqipërisë, që u miratua me referendum mbarëpopullor, në tërësinë e vet është një kushtetutë e standardeve europiane, e cila gjatë gjithë këtyre 13 viteve që nga miratimi i saj, mendoj se e ka përmbushur përgjithësisht mirë qëllimin e saj. Ishte pozitive që ajo u pa dhe për të u dhanë konsiderata pozitive nga Komisioni i Venecias, ishte pozitive që ajo u mbështet nga shumica e votuesve shqiptarë që morën pjesë në referendum, ishte më pozitive akoma që kjo Kushtetutë, pas miratimit të saj, nuk u pranua fillimisht nga opozita e asaj kohe dhe më vonë, duke reflektuar, u konsiderua si mjet i domosdoshëm dhe nga opozita e asaj kohe. Mund të them se deri tani Kushtetuta ka qenë një akt themeltar i gjithëpranuar nga shoqëria civile. Mirëpo, për t’i dhënë përgjigje pyetjes tuaj, duhet shkuar dhe në momente të tjera. Kushtetuta u implementua për një periudhë 13-vjeçare dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ajo dha prova dhe garanci se është mjet shumë i rëndësishëm që u është përgjigjur pozitivisht nevojave dhe interesave që ka pasur shteti shqiptar dhe veprimtarisë së institucioneve. Në këtë drejtim mendoj se ajo dha prova qëndrueshmërie dhe standardi. Si e shikoni reagimin e politikës për të bërë rregullimet e nevojshme? Për mua shtrohet pyetja: Partia që në atë kohë përbënte shumicën dhe që u bë shkak për ndryshimet e fundit të prillit 2008, sot duket se reflekton dhe kërkon të preket Kushtetuta përsëri dhe të ndërhyhet tek ajo. Një aspekt shumë i rëndësishëm. Aspekti tjetër është fakti që një parti që bëri përpjekje serioze dhe ishte që në momentet e para kundër ndryshimeve kushtetuese të 2008-s, LSI, që sot i përket maxhorancës parlamentare, për çudi nuk po shprehet për domosdoshmërinë e rregullimeve të Kushtetutës, është sidoqoftë një faktor që duhet pasur parasysh. Opozita e asaj kohe, kur Kushtetuta u miratua me referendum, e cila nuk e njohu fillimisht dhe më pas reflektoi duke e pranuar, sot në pushtet, krejt papritur, pas reflektimit të opozitës, shprehet kundër ndërhyrjeve në Kushtetutë, pa parashtruar argumente dhe shkaqe, por thjesht duke mbajtur një qëndrim politik. Për këto arsye që thashë dhe në mënyrë të veçantë duke insistuar te domosdoshmëria e ndryshimeve kushtetuese dhe duke i shtuar këtij argumenti problematikën e evidentuar gjatë këtyre viteve për institucione të caktuara, si për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Avokatin e Popullit, kanë nevojë të plotësohen me amendime të ndryshme. Për shembull, është e nevojshme të plotësohet me kritere shkencore dhe rigoroze profesionale mënyra e përzgjedhjes së këtyre gjykatave shumë të rëndësishme. Këto kritere mendoni se duhet të përfshihen në Kushtetutë? Po, po. Do të ishte shumë e nevojshme që këto kritere të përfshihen në Kushtetutë. Është shumë e nevojshme të riparohen nene që kanë të bëjnë me Avokatin e Popullit, është shumë e nevojshme që të reflektohet për marrëdhëniet Ekzekutiv-Parlament; është e domosdoshme të ndërhyhet edhe në aspektet e veçanta të organeve të tjera, por, mbi të gjitha, në mënyrë të studiuar, të planifikuar, jo arbitrarisht, në mënyrë transparente, duke ia nënshtruar këtë proces një konsensusi mbarëshoqëror, mbarëpartiak, mbi të gjitha. Do të ishte me vlerë që Parlamenti të merrte një vendim konkret e më pas, për të mbështetur shoqërinë civile, në ngritjen e një komisioni të posaçëm me parlamentarë dhe joparlamentarë, i cili duhet dhe mund të studionte për disa muaj, deri në vite ndoshta, në një afat të gjatë, këto problematika të Kushtetutës, komision që duhet ta bindë faktorin shqiptar se përse është e nevojshme të amendohet një nen i Kushtetutës. Personalisht them se tani, pas 13 vjetësh, ka ardhur koha që Kushtetuta e Shqipërisë duhet të amendohet në mënyrë të mençur, të matur dhe planifikuar për të mbyllur shtigjet e mendimeve të mëvonshme që janë vënë re. Këto amendime mendoni se duhet ta ruajnë Kushtetutën të paprekshme nga ndërhyrjet për një afat disadhjetëravjeçarë? Sipas pikëpamjes sime, nëse organet që do të merren me këtë punë do të bënin një punë të studiuar, të planifikuar, transparente dhe, mbi të gjitha, duke u larguar sa më shumë nga politika, sepse nuk mund të themi se politika nuk do të ndikojë, dhe duke u afruar sa më shumë me interesat e institucioneve të pavarura shqiptare, unë mendoj se nëse do të ndodhte kështu, kjo ndërhyrje do të ishte thuajse e fundit teorikisht, me efekte pozitive për një periudhë shumë të gjatë kohe, që do t’u rezistonte sfidave të ardhshme. Ju jeni kundër amendimeve të Kushtetutës vetëm nga dy partitë e mëdha, PS-PD? Unë personalisht janë kundër amendimeve të njëanshme të Kushtetutës, fjala vjen vetëm nga një shumicë, edhe pse nuk është e mundur të bëhet, por jam kundër amendimeve të Kushtetutës nga dy forcat kryesore politike. Unë do të dëshiroja që Kushtetuta, kurdo që të amendohet, të jetë një amendim i ndërgjegjes mbarëshqiptare, të pranuar nga shqiptarët. Ne duhet të nxjerrim mësime edhe nga eksperimentet e rrezikshme që kemi bërë nga çdo krah. Çfarë duhet rregulluar në Kushtetutë lidhur me institucionin e Presidentit? Sa i takon institucionit të Presidentit si një faktor shumë i rëndësishëm në vendin tonë, unë mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se roli i tij pas ndryshimeve të 2008-s është zbehur, kompetencat, në aspektin lëndor të tyre, nuk janë shfuqizuar. Por ai është goditur shumë sepse është ndryshuar mënyra e të zgjedhurit të tij, duke u dhënë mundësi maxhorancave të zgjedhin shumë më lehtë sesa Avokati i Popullit, sepse dhe këtë unë e vlerësoj. Por është anakronike që Avokati i Popullit zgjidhet me një shumicë të cilësuar, ndërsa Presidentin e Republikës maxhorancat mund ta bëjnë si të duan. Kjo ka sjellë atë që një maxhorancë, sado e dobët të jetë, mund të marrë nisma që të gjejë një President të vetin dhe të mos përfillë e të mos e vlerësojë opozitën apo dhe partitë e tjera parlamentare. E dyta, ndryshimet e 2008-s e dëmtuan rëndë Presidentin edhe në një aspekt tjetër, sepse ai kryeson KLD-në, një organ shumë të rëndësishëm dhe prestigjioz, nga i cili rrjedhin dhe organet e tjera të Drejtësisë. Ju keni vënë re kohët e fundit dhe një përplasje mes Presidentit dhe Parlamentit lidhur me miratimin e kandidaturave të gjyqtarëve kushtetues dhe të lartë, që sipas meje, ka krijuar një situatë paradoksale në Shqipëri që nuk e besoj se e merr vesh njeri se si duhet vepruar. Kur Presidenti ka dërguar kandidaturat e veta para një viti konform Kushtetutës dhe Parlamenti i mban në sirtar sipas interesave të veta, i nxjerr nga sirtari dhe i miraton sipas orekseve politike që ka dhe puna ka arritur deri aty sa Parlamenti jo vetëm që nuk i ka bërë objekt shqyrtimi në komisione dhe seancë këto kandidatura, por i ka kthyer kandidatura të caktuara në rrugë administrative. Edhe këtu duhet kërkuar ajo që ndodhi në 2008-n. Prandaj unë mendoj se këto dhe shumë pika të tjera duhen parë me maturi dhe largpamësi për të mos përsëritur gabimet e mëparshme. Ndryshimet e nevojshme do të bëjnë që Presidenti i Republikës të kryejë me rigorozitet misionin dhe detyrën e tij. Sepse, do të më falë Presidenti i Republikës, nuk më duket aspak normale që kreut të shtetit i kthehen kandidaturat për gjyqtarët kushtetues dhe të lartë në mënyrë administrative, pra nuk i pranohen, nuk i përfillen, nuk i shqyrtohen këto kandidatura ashtu siç e kërkon Kushtetuta, dhe Presidenti ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje që mua më duket tronditëse dhe më bën të jem shumë i shqetësuar. Kryeministri Berisha, gjatë një deklarate për shtyp të pak ditëve më parë, tha se do të ishte më mirë që ju të merreshit me statutin e PS-së, sesa me ndryshimet kushtetuese… Për mendimet e mia që kam shfaqur, qoftë dhe për Kushtetutën, as i kam marrë dhe as do t’i marr dorën askujt. Ato i kam shfaqur dhe do t’i shfaq në mënyrë të pavarur, siç i ndiej. Nuk kam pyetur dhe as kam zbatuar ndonjëherë as porositë e kryetarëve të partisë ku kam milituar deri në 1998-n, e jo më të dëgjoj dhe të zbatoj porositë e Kryeministrit të Shqipërisë, i cili prej disa vitesh është kategorikisht i vendosur për ta shndërruar vendin në sulltanat dhe veten në sulltan. Deri tani ka arritur sukses, sepse sipas meje, ai vetë është bërë sulltan, sepse drejton çdo segment të pushtetit të maxhorancës nëpërmjet mesazheve që kanë zëvendësuar fermanët e sulltanëve. Fakti që ai ka frikë të përmendë emrin tim nuk ma prish asnjëherë humorin, sepse kam parasysh këtu proverbin dibran që dhe ai e di, që “pema që ka kokrra, goditet”. Me sa duket, edhe ai ka vendosur të merret shpesh me mua, por edhe unë s’do të harroj kurrë, aq më tepër që tani nuk kam më kufizime ligjore e kushtetuese për të bërë replika me të, do t’i them sa herë mendimet e mia për mentalitetin e tij primitiv me të cilin drejton.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura