
Muzika në familjen e tij është trashëguar brez pas brezi. “Pa muzikë, nuk do të dinim të jetonim”, thotë pianisti Marcello Abbado.Është 85 vjeç. Nuk do ta besoje nëse nuk do t’i lexoje biografinë. Studion me orë të tëra, shëtit gjithë botën nga njëri koncert në tjetrin, nga njëra juri në tjetrën.. me rastin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë ai do të japë një koncert në Tiranë. Por kjo nuk është hera e parë në kryeqytetin shqiptar. Lidhjet me këtë vend i ka shumë më të hershme, qysh në vitin 1989, kur ftoi në Konservatorin e Milanos, violinistët virtuozë, të drejtuar nga Zhani Ciko. Abbado tregon surprizën që shkaktoi interpretimi i atyre të rinjve që vinin nga një vend komunist, si i gjen të rinjtë e sotëm dhe ç’duhet për të qenë një muzikant i suksesshëm.
Keni ardhur në Tiranë për një koncert me rastin e 150-vjetorit të bashkimit të Italisë, si do të festoni?
Është një koncert për dy piano dhe orkestër, i mbështetur mbi dy ide muzikore. Çdo piano ka linjat e veta, ndërsa orkestra shërben si sfond, por ka kambana, gonge, të gjitha instrumente me shumë rezonancë. Do të krijohet një atmosferë e këndshme për dëgjimin. Unë mendoj se edhe sot mund të shkruhet muzikë, e cila mund të dëgjohet me kënaqësi. Ne do ta luajmë atë me shumë gëzim.
Kjo nuk është hera e parë në Tiranë…
Gloria ka ardhur më parë të luajë Koncertin nr. 2 të Rahmaninovit, kurse unë kam ardhur vite më parë për të luajtur 3 koncerte të Mozartit, me rastin e një përvjetori të tij, me tre orkestra, për një, dy dhe tre pianoforte. Për mua është gjithnjë një kënaqësi e madhe të kthehem këtu, të takoj miq të vjetër. Qyteti që asokohe ishte i vogël, tanimë është bërë gjigand me një milion banorë.
Orkestra është e angazhuar, e motivuar do të thosha.
Megjithatë, ne e dimë që lidhja juaj me Tiranë është shumë më e hershme, apo jo?
Unë i njoh artistët shqiptarë shumë më herët, që kur Zhani Ciko erdhi në Itali, në vitin 1989, në krye të orkestrës së violinistëve të mrekullueshëm. Luajtën në sallën e madhe “Giuseppe Verdi” në Milano, ku interpretuan “Kapricion nr. 24” të Paganinit. Ishin të gjithë në union! Dhe që atëherë lindi një miqësi.
Na tregoni pak për përshtypjet e para që ju lanë ata të rinj asokohe…
Ishte një surprizë e jashtëzakonshme për ne, por që na bëri të kuptonim menjëherë se këtu kishte një shkollë të madhe violinistike, sepse nuk ishte vetëm një violinist i zoti, por ishin të gjithë. Momentalisht ka shumë violinistë (më shumë violiniste) në orkestrën e “La Scalës” dhe në shumë orkestra të tjera, jo vetëm në Milano. Kështu që ka një lloj bashkimi mes Italisë dhe Shqipërisë përmes muzikës.
Veç qytetit, shihni ndryshime në fushën artistike?
Sigurisht. Është vetëdija që jo vetëm Tirana, por e gjithë Shqipëria sot ka shumë vlerë në Europë. Dhe për mua kjo është shuam e rëndësishme. Impenjimi i orkestrës për mua është impenjimi i gjithë Shqipërisë.
Keni drejtuar për shumë vite Konservatorin e Milanos, si kanë ndryshuar të rinjtë nga brezi në brez?
Kam drejtuar Konservatorin e Milanos për 24 vjet dhe pikërisht për këtë ka qenë një surprizë shumë e madhe, kur kemi dëgjuar për herë të parë ata të rinj shqiptarë, fantastikë. Sot është rritur niveli artistik, muzikor në botë, kështu që të rinjtë që duan të bëjnë përpara, duhet të impenjohen shumë. Gloria është demonstrimi i të riut që punon shumë, që fiton çmime e xhiron gjithë botën. Sepse konkurrenca botërore është rritur. Tashmë është shumë më e vështirë.
Këtë e dëshmon edhe numri i madh i jurive ku bëni pjesë, apo jo?
Sapo kam qenë në Moskë për të dëgjuar DVD-në e pianistëve që marrin pjesë në konkursin “Çajkovski”. Dje, në sallën e madhe të Konservatorit të Moskës ka drejtuar orkestrën, im bir, Roberto.
Roberto është drejtor orkestre, dirigjon në të gjithë botën. Im vëlla, Claudio, është gjithashtu dirigjent..
Pra, një familje e tërë muzikantësh…
Babai ynë ka qenë violinist, ndaj edhe kam adhurim për violinistët. Aq më tepër që e di se sa e vështirë është t’i biesh violinës, por kam dëgjuar që këtu është më e thjeshtë…
Duke parë sakrificat e babait tuaj, nuk u “frikësuat” për të ardhmen tuaj?
Të bësh muzikë është lumturi. Pa muzikë ne nuk do të dinim të jetonim. Kemi nevojë për të. Babai ka qenë një burim frymëzimi. Ai nuk ishte vetëm violinist. Kishte një orkestër harqesh dhe bënte prova në shtëpi. Luante në trio, kuartete.. Ai ka qenë shembulli që ne të luanim muzikë. Dhe e kemi bërë këtë sepse na pëlqente, nuk ishim të detyruar.
Ju gjithashtu krijoni…, si nisët?
Kam filluar të krijoj që i vogël. Kur isha fëmijë këndoja poezitë që duhet të mësoja përmendësh në shkollë dhe kur ia tregoja sime mëje, ajo më pyeste: Kush ta ka mësuar këtë këngë. Asnjeri, i thosha, është muzika ime. E kështu nisi. Pastaj nisa Konservatorin. Për një kompozitor është e rëndësishme që të njohë pianon, kështu që mësova pianon. Më vonë kam luajtur gjithë koncertet e Moxartit, Debysisë etj..
Një jetë e tërë në udhëtim.. nuk lodheni?
Po, po. Në Amerikën Latine kam qenë 8 herë, kamë qenë në Amerikë, Kinë, Japoni.. E para gjë që vë në valixhe është pasaporta, partiturat.. dhe nuk ka asnjë lodhje. Jam mësuar të udhëtoj, të fluturoj dhe më pëlqen shumë.
Programi
Giuseppe Verdi
“Nabucco”
Sinfonia
Ludwig van Beethoven
KONCERT Nr.3 në Dominor
për piano dhe orkestër op.37
– Allegro con brio
– Largo
– Rondo (Allegro)
Marcello Abbado
KONCERT për dy piano dhe orkestër (2007)
Ekzekutohet për
herë të parë
Giuseppe Verdi
“La forza del destino”
Sinfonia
ALMA MILE
© Panorama.al











