Ende pa përfunduar mjekimin në spitalet publike, delegohen për të marrë trajtim në ato private. Fenomeni i pranishëm prej vitesh tashmë po bëhet gjithnjë e më shqetësues. Për presidentin e Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj, duhen marrë masa të menjëhershme. Sipas tij, ky fenomen po shihet si diçka normale qoftë nga bluzat e bardha, ashtu edhe nga vetë pacientët, të cilët kërkojnë të gjejnë zgjidhje për sëmundjet. “Duhet të ketë monitorim të vazhdueshëm nga drejtuesit e institucioneve spitalore. Ata duhet të raportojnë këto raste të mjekëve, të cilët u kërkojnë pacientëve që t’u drejtohen klinikave private, në kohën kur shërbimi spitalor mund të ofrohet në spitalet publike”, tha dje, gjatë një konference për shtyp, presidenti i Urdhrit të Mjekut. Ai u ndal edhe në rastet kur është ushtruar dhunë ndaj mjekëve. Duke marrë shkas nga ngjarja në spitalin e Kukësit ku u dhunua një mjek, Abazaj tha se duhen marrë masa për mbrojtjen e bluzave të bardha. “Pavarësisht problemeve që ka sot shëndetësia, misioni i mjekut është i shenjtë dhe, për këtë arsye, i duhet dhënë respekt çdo profesionisti që përgjigjet direkt për shëndetin e pacientëve”, tha Abazaj. Presidenti i Urdhrit të Mjekut ka kërkuar gjithashtu që të sëmurët të mos ngurrojnë për të denoncuar rastet e korrupsionit në shëndetësi.











