Të paktën ka mbetur një muaj që politika shqiptare të unifikojë axhen-dën e saj të integrimit dhe opozita të marrë një rol në këtë axhendë, duke shmangur mbajtjen e një referendumi. Është fakt se tashmë, për shkak të këmbënguljes së opozitës, një prej rekomandimeve të BE-së për të marrë statusin kandidat, ai për heqjen e imunitetit, nuk është plotësuar.
Maxhoranca ka ofruar kompromis për shumë çështje, në disa prej të cilave kompromisi shprehej tërësisht në variantet e opozitës për ndryshimet në ligje të ndryshme. Qëndrimet e saj dhe ritmi që ajo përcjell në realizimin e reformave janë tërësisht të lidhura me integrimin, pa ndonjë prapavijë tjetër politike që vë në plan të parë produktet që përforcojnë pushtetin e saj politik.
Ndërkaq, opozita ka një hezitim të vazhdueshëm për të realizuar rekomandimet e BE-së. Dhe kontributin e saj në reformën e integrimit e ka lidhur kryesisht me produktin politik dhe elektoral, që mund të përfitohet prej votimit të kësaj reforme. Nëse lidhja e reformës me axhendën elektorale të opozitës kishte një farë logjike, në rastin e votimit të Kodit Zgjedhor, ajo nuk ka kurrfarë lidhjeje në rastin e heqjes së imunitetit. Opozita ka synim elektoral me votimin e reformave dhe ajo as ka ndër mend të fshehë synimin e saj. Nuk pse ta fshehë, pasi përfitimi politik i opozitës nuk vjen nga e njëjta derë si e maxhorancës. Kjo e fundit rrit ose zbret aksionet nga qeverisja, ndërsa opozita i merr ato përmes debatit politik dhe alternativave.
Por lidhja e heqjes së imunitetit me ndryshime të tjera që sjellin zhvendosje në boshtin e pushtetit nuk ka shumë logjikë, edhe sikur të jetë tërësisht e vërtetuar se maxhoranca aktuale ka afilacion të fortë me sistemin e Drejtësisë në vend dhe veçanërisht me drejtuesit e këtij sistemi. Heqja e imunitetit lidhet me ushtrimin e barazisë përballë ligjit. Ndërsa ndryshimet e propozuara të opozitës lidhur me zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese kanë të bëjnë me ushtrimin e pushtetit. Në rastin e parë kemi një rishikim në aspektin etik të pozicionit të zyrtarit të lartë përballë drejtësisë, ndërsa në rastin tjetër bëhet fjalë për procedura.
Për shkaqet e mësipërme, kushtëzimi i opozitës mbetet absurd, edhe në qoftë se gjykohet se propozimi i opozitës është me vend lidhur me zgjedhjen e prokurorit apo votimit të gjykatësve në Parlament. Duke qenë i tillë, vështirë se bllokimi i opozitës do ta bëjë më të shëndetshme axhendën e saj elektorale. Përkundrazi, do ta fusë debatin politik para zgjedhjeve në temat e integrimit ku, qoftë kostoja e qoftë përfitimi është i baraslarguar nga maxhoranca dhe opozita, në rastin më të mirë. Dalja prej debatit mbi qeverisjen te debati për integrimin nuk favorizon shumë opozitën gjatë një fushate elektorale, aq më pak një opozitë tetëvjeçare, e cila mund të ketë mbushur ndonjë dosje për gabimet e qeverisë dhe ka nevojë ta shpalosë atë para votuesve. Po ashtu ajo e ka shumë të nevojshme të shpalosë strategjinë e vet të qeverisjes. Për më tej debati për integrimin nuk favorizon opozitën, për shkak se ajo ka bllokuar dy herë statusin e vendit kandidat dhe kjo mund të jetë hera e tretë.
Maxhoranca ka një përgjigje për bllokimin e opozitës, që është referendumi. Ajo ia ka dalë të legalizojë moralisht këtë rrugë te qytetarët, edhe pse procedurat e gjata tejkalojnë tetorin, kur edhe Shqipëria merr përgjigje për statusin. Por nëse kalohet tetori, nuk kalohet qershori i vitit të ardhshëm, ku maxhoranca mund të futet në fushatë elektorale me një referendum të fituar përballë opozitës për një çështje që lidhet me etikën e zyrtarit të politikës. Pra, fiton një referendum, që për nga thelbi i tij neutralizon shumë nga akuzat e opozitës për korrupsion ndaj qeverisë, akuza që me siguri do të jenë në draftin e opozitës përgjatë fushatës elektorale. Referendumi i fituar pak javë para zgjedhjeve mund të orientojë edhe votën përgjatë zgjedhjeve parlamentare. Duke pritur sërish një rezultat të ngushtë mes koalicioneve në të majtë e në të djathtë, merret me mend se sa shumë ndikim në rezultat ka fryma që përcjell fitorja e referedumit nga ana e qeverisë.
Por nëse maxhoranca ka një përgjigje për bllokimin e opozitës, vetë opozita nuk ka një rrugë të qartë të daljes prej bllokimit me një përfitim për vete. Lidershipi i PS-së duhet të parashikojë se çfarëdo bllokimi lipset zhbllokuar një ditë, dhe kur të vijë ky moment, duhet pasur një alternativë që ushqen strategjinë politike të opozitës. Në fakt, PS dhe kryetari i saj, Rama, shquhen për mungesën e strategjive “exit”, në po atë masë sa shquhen edhe për vullnetin e palodhur për strategjitë “entrance”. Pra kanë vullnet të hyjnë në lojë, por nuk kanë mjetet për të dalë prej saj; Dhe kur ajo mbaron, ata ende vazhdojnë të luajnë.
Opozita në fakt kërkoi të hidhen në referendum (duke përfshirë edhe një gafë kushtetuese) propozimet e saj. E zëmë se ato do të hidhen në referendum. Por referendumi nuk ka votim për alternativa të ndryshme, por për një alternativë që ose rrëzohet, ose mbështetet. Si i tillë, referendumi në rastin më të mirë mund të japë përgjigje pozitive edhe për propozimin e opozitës për gjykatësit edhe për propozimin e maxhorancës për imunitetin. Ku është përftimi elektoral në këtë rast për opozitën? Në rastin më të mirë nuk është minus, por vetëm zero. Qytetarët ndëshkojnë bllokimin e opozitës me pasoja për integrimin, por ndërkaq votojnë edhe pro opsionit të saj për gjykatësit, opsion që nuk lidhej me reformat integruese. A ia vlen në politikë që të luash fort për të qëndruar vendnumëro? Natyrisht që nuk ia vlen.
Muaji shtator është vendimtar për të mbyllur debatin për rekomandimet e BE-së. Kjo nuk do të thotë se do të mbyllen të gjitha debatet që lindën përgjatë procesit të integrimit. Ato le të mbeten, madje edhe mund të kenë produkt elektoral. Opozita, ashtu siç mendon edhe vetë, nuk mund të ndryshojë Kushtetutën për çështje që zhvendosin fuqinë e pushtetit brenda një kohe të shkurtër. Propozimet e saj janë krejt të reja, nuk lidhen me rekomandimet e BE-së, kanë nevojë për debat. Vetë ajo pretendon të fitojë zgjedhjet dhe, nëse do të jetë maxhorancë, ka shumë më tepër mundësi të realizojë ato ndryshime ose të paktën të lexojë nga një pozicion i ri relativizmin e tyre. Ajo mund të zhbllokojë procesin dhe të mbajë debatin të hapur. Përndryshe, ajo e ka në dorë bllokimin dhe debati do të mbahet për bllokimin dhe jo për çështjet që i interesojnë opozitës. Opozita ka gjithnjë të drejtë të flasë, por jo gjithnjë ajo çfarë thotë është e drejtë.
© Panorama.al












